Abdixhiku në Junik: Ruzhdi Shehu, simbol i qeverisjes së ndershme

Prishtinë | 19 Sht 2025 | 20:10 | Nga Diellza Gashi

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbajti tubim në Junik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit, ku prezantoi kandidatin për kryetar komune, Ruzhdi Shehun, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku theksoi se Ruzhdi Shehu është simbol i qeverisjes së ndershme.

“Katër vite më parë, ky qytet i dha LDK-së besimin, i dha LDK-së mandatin, i dha LDK-së nderin ta udhëheqë. Dhe ne nuk e zhgënjyem. Sot jemi këtu që t’i japim vazhdim këtij besimi, që të vazhdojmë punën e nisur, që të çojmë Junikun më përpara. Në krye të këtij rrugëtimi është një emër, një njeri që të gjithë e njihni, që të gjithë e respektoni, që të gjithë e keni pranë vetes në çdo ditë. Është kryetari juaj, është kandidati ynë, është njeriu i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Ruzhdi Shehu.

Ruzhdi Shehu nuk është thjesht një emër në listë. Ai është simbol i qeverisjes së ndershme. Ai është fytyra e një udhëheqësi që e njeh çdo rrugë të këtij qyteti, që i di problemet e çdo familjeje, që ka qenë pranë çdo fshati. Ruzhdi Shehu është kryetari i punës, i fjalës së mbajtur, i besës së dhënë. Katër vite më parë, ai premtoi se do të punonte për Junikun. Sot, çdo investim, çdo hapësirë publike, çdo projekt i përfunduar është dëshmi e këtij premtimi. Ai është njeriu që nuk flet me propagandë, por me vepra. Është njeriu që nuk e sheh pushtetin si privilegj, por si shërbim. Dhe është njeriu që duhet të vazhdojë të jetë kryetar i Junikut.

Në infrastrukturë, rrugët e qytetit dhe të fshatrave janë rregulluar. Janë hapur segmente të reja, është përmirësuar ndriçimi publik, është bërë realitet ujësjellësi dhe kanalizimi në shumë lagje që për vite të tëra ishin harruar. Qytetarët e Junikut sot e kanë ndier në jetën e tyre të përditshme se kur LDK është në qeverisje, ndryshimi është i prekshëm”, tha kryetari i LDK-së.

Abdixhiku tha se Shehu është simbol i punës me rezultate konkrete, duke përmendur investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, hapësira publike dhe turizëm gjatë mandatit të tij.

“Në arsim, shkollat janë përmirësuar, janë rinovuar klasa, janë krijuar kushte më të mira për fëmijët tanë. Mësuesit kanë gjetur mbështetje, nxënësit kanë kushte që mësojnë siç meritojnë. Ruzhdi Shehu e ka vendosur arsimin në qendër të qeverisjes, sepse pa arsim nuk ka të ardhme.
Në shëndetësi, qendra shëndetësore e qytetit është forcuar, janë shtuar pajisje, janë afruar mjekë e infermierë për qytetarët. Shëndeti i njerëzve ka qenë prioritet, dhe kjo është arsyeja pse qytetarët sot ndihen më të sigurt. Në hapësira publike, Juniku ka marrë një fytyrë të re. Janë hapur sheshe, janë krijuar hapësira për fëmijët, janë bërë investime në ambiente sportive. Ky qytet i vogël por krenar ka marrë gjallëri, ka marrë jetë.

Sot Juniku nuk është më qytet i harruar, por qytet që rrezaton. Në turizëm, Juniku ka filluar të njihet si derë hyrëse për Bjeshkët e falura nga Zoti, si vend që ofron natyrë të paprekur, si komunë me potencial për vizitorë nga gjithë Kosova dhe më gjerë. Ruzhdi Shehu e ka kuptuar se turizmi është pasuri dhe e ka vendosur këtë si prioritet. Ky është bilanci. Janë fakte, janë realitete, janë dëshmi që flasin më shumë se çdo fjalë. Dhe ky bilanc nuk është i rastësishëm. Ky është rezultat i punës së përditshme, i përkushtimit, i seriozitetit të një kryetari dhe i një partie që nuk premton kot. Ky është rezultat i LDK-së”, shtoi ai.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja dhe Shehu synojnë të vazhdojnë projektet e nisura, të thellojnë investimet në komunë dhe të krijojnë mundësi të reja për rininë, duke bërë Junikun një destinacion turistik e ekonomik më të zhvilluar.

“Por puna nuk mbaron këtu. Ne nuk jemi këtu për të thënë se gjithçka është bërë. Jo. Ne jemi këtu për të thënë se kjo është vetëm gjysma e rrugës. Sepse qeverisja nuk është garë e shpejtë, është maratonë. Dhe maratona e Junikut ka nevojë të vazhdojë.
Për katër vitet e ardhshme, Ruzhdi Shehu dhe LDK kanë vizion të qartë për Junikun. Ne do të vazhdojmë me projektet e nisura. Do të thellojmë investimet në infrastrukturë, duke përfunduar çdo rrugë, duke siguruar ndriçim e kanalizim për çdo lagje e fshat. Do të sjellim investime të reja në arsim, me shkolla më moderne dhe me më shumë mundësi për fëmijët tanë. Do të forcojmë shëndetësinë lokale, që qytetarët të kenë kujdesin më afër.

Do të zhvillojmë turizmin, duke e bërë Junikun një destinacion të njohur, që sjell vizitorë, që sjell të ardhura, që gjallëron ekonominë lokale. Për rininë, ne do të krijojmë hapësira të reja, qendra kulturore e sportive, mbështetje për bizneset e të rinjve, që ata të ndërtojnë jetën këtu, të mos detyrohen të largohen. Sepse Juniku nuk duhet të humbasë më bijtë e bijat e vet. Në këtë rrugëtim, Ruzhdi Shehu nuk është vetëm. Ai ka një ekip të fuqishëm, një ekip njerëzish të ndershëm, profesionistë e qytetarë të përkushtuar që janë kandidatë për Asamblenë Komunale”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Të ngjashme