Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen Petrovci, pas ndarjes nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur, Enver Petrovci.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci. Ai mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës sonë. Me talentin dhe veprën e tij i dha artit tonë profesionalizëm dhe dinjitet. Kujtimi dhe kontributi i tij do të jetojnë përherë në skenat tona dhe në kujtesën e popullit të Kosovës,” ka thënë Osmani.
Presidentja ka shtuar se ndan dhimbjen me familjen dhe komunitetin artistik.
“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe gjithë komunitetit kulturor. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Enver Petrovcin!”, ka shkruar ajo.