Në mungesë të të paditurve F.L., S.L., dhe M.L., ka dështuar seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku paditësja A.L., ka ushtruar padi për vërtetim pronësie.
Gjykatësi i rastit Labinot Zekaj njoftoi se gjykimi i planifikuar për sot nuk mbahet ngase për të paditurin F.L., nga fletëkthesa e postës konstatohet se i njëjti është larguar nga ajo adresë, kurse për të paditurit S.L., dhe M.L., adresat nga posta konstatohen si të panjohura, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, përfaqësuesi i paditëses A.L., avokati Betim Shala tha se ndaj të paditurit F.L., zhvillohet edhe procedurë penale dhe se në atë proces ai pranon ftesat.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 16 maj 2017, A.L., ka kërkuar të vërtetohet pronësia në ¼ e pjesës ideale të paluajtshmërive në Prishtinë dhe të paditurit t’ia njohin të drejtën e pronësisë në paluajtshmëritë të cekura në padi, e gjithashtu edhe t’ia dorëzojnë të njëjtën në posedim të papenguar.
Gjithashtu, paditësja A.L., përmes propozimit për caktimin e masës së sigurisë ka kërkuar që t’iu ndalohet kundërshtarëve të propozimit për masë të sigurisë, F.L., S.L., dhe M.L., tjetërsimi i ngastrave, apo lidhje të kontratës për dhurim apo kontratës për bashkimin e mjeteve dhe kapitalit për ndërtimin e objekteve kolektive banesore, me çka do të rrezikonte dhe vështirësonte realizimin e kërkesëpadisë së propozuesit të sigurimit.