Avokati Arbër Jashari ka reagur lidhur me rezultatet e fundit të Gallup World Poll, ku Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për perceptimin e sigurisë.
Në një postim në Facebook, Jashari tha se ky rezultat është inkurajues dhe shpresëdhënës për Kosovën.
“Rezultatet e fundit të Gallup World Poll lidhur me sundimin e rendit dhe ligjit janë inkurajuese dhe shpresëdhënëse për Republikën e Kosovës. Sipas publikimit të fundit, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për perceptimin e sigurisë. Në rangun botëror, vetëm qytetarët e Taxhikistanit dhe Singaporit ndihen më të sigurt se kosovarët, ndërsa në Evropë jemi të parët, duke lënë pas shtete të zhvilluara si Austria, Zvicra e Norvegjia”, ka shkruar ai.
Tutje avokati shtoi “ky publikim dëshmon se, pavarësisht sfidave dhe lajmeve të zymta që dëgjojmë çdo ditë, qytetarët e Kosovës ndihen të sigurt në shtetin e tyre dhe ruajnë besim të palëkundur në organet e sigurisë”.