Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim tha se Kosova nuk ka një databazë reale mbi nevojat e tregut të punës dhe në mungesë të këtyre të dhënave, e kanë lënë në dorë të ekspertëve ndërkombëtarë që t’i vlerësojnë nevojat të cilat i ka tregu i punës për programe studimi.
Ai tha se gjatë procesit të akredimit, ekspertët ndërkombëtarë, përveç intervisimit të studentëve, intervistojnë edhe “tregun e punës”, pra mund të ftohen gjashtë ndërmarrës të cilët intervistohen nga ekspertët ndërkombëtarë dhe ata vlerësojnë nevojat të cilat i ka tregu i punës për programe të studimit.
Në bazë të këtij vlerësimi dhe në bazë të kapaciteve të cilat i ka programi, Gashi tha se ekspertët ndërkombëtarë i rekomandojnë bordit-përkatësisht Këshillit Shtetëror për Cilësi për numrin e studentëve të akredituar.
“Kurrë nuk ka ndodhë që Bordi i Agjencisë të lejojë kuota më të lartë në krahasim me rekomandimin të cilin e bëjnë ekspertët ndërkombëtarë. Mirëpo, ka pasur raste kur kuotat kanë mundur të ulen por jo me u rrit kuota më tepër sesa rekomandimi i ekspertëve”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, nuk dihen kërkesat për juristë apo ekonomistë dhe as kapacitetet.
“Mund të themi se kemi shumë juristë, por askush nuk e di se sa janë kërkesat për juristë ose ekonomistë dhe sa janë kapacitetet apo numri i të diplomuarve, ne zakonisht e shikojmë numrin e të regjistruarve, por duhet të shikohet numri i të diplomuarve. Duhet të marrim numrin e të diplomuarve në pesë vitet e fundit dhe në pesë vitet e fundit numrin e kërkesave në tregun e punës për një profil të caktuar dhe në bazë të asaj ne përcaktojmë numrin” ka thënë Gashi, transmeton Betimi për Drejtësi.
Drejtori i AKA-së tha se këto të dhëna ende nuk i kanë dhe se kjo është barrë shtesë për Agjencinë e Akreditimit.