Komuna e Prishtinës e ka lansuar platformën “kuleta-dixhitale” e përmes të cilit aplikacion mund të përfitoni një muaj biletë falas për të udhëtuar me autobusët e trafikut urban dhe ndërurban, raporton Ekonomia Online.
Eksperti i telekomunikacionit dhe digjitalizimit, Luftar Braha, në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar se si funksionon kjo platformë.
“Platforma është lansuar javën e kaluar zyrtarisht, platforma ka filluar zhvillimin e saj për më shumë se 8 muaj. Javën e parë është falas për qytetarët të cilët e shkarkojnë aplikacionin dhe 1 muaj është bileta falas, dhe pastaj do të jetë me pagesë, pagesa me çmimoren standarde të Komunës së Prishtinës”, ka thënë Braha për Ekonomia Online.
Braha e ka vlerësuar si të domosdoshme këtë aplikacionin.
“Kuleta dixhitale është një risi teknologjike në Prishtinë. Momentalisht është duke u përdorur për biletën dixhitale të transportit publik urban, transportit të integruar, domethënë jo vetëm në linjat e trafikut urban, por në të gjitha linjat e Komunës së Prishtinës, e cila i mundëson qytetarëve me pas qasje të lehtë përmes teknologjisë dhe pagesat e biletave edhe kur nuk kanë para tima në xhep, thjesht përmes kartelës bankare ose edhe me verifiku ata që janë të liruar prej biletave si nxënësit dhe pensionistët, me u verifiku përmes kësaj platforme, mos me pas nevojë me nxjerrë kuletën apo me nxjerrë një kartë tjetër. Kryesisht njerëzit sot e përdorin telefonin, jo vetëm për telefonata, por e përdorin shumë për shfletim, e kanë gjatë gjithë kohës në duar edhe për të bërë fotografi. Prandaj është një mjet në duar, një mjet në mjetin që secili qytetar e ka, por si platformë është multidimensionale, nuk ka vetëm një qëllim, ka disa qëllime”, ka deklaruar Braha.
Përveç funksionit të saj kryesor, Braha theksoi se kuleta dixhitale do të shfrytëzohet edhe për mbledhjen e të dhënave dhe planifikimin e lëvizjes në bazë të inteligjencës artificiale.
Përmes këtij aplikacioni synohet që në të ardhmen të të përfshihen edhe pagesat e faturave komunale, taksitë dhe shërbime të tjera.
“Një prej qëllimeve tjera që është shumë e rëndësishme është mbledhja e të dhënave se ku, si dhe në cilat linja po përdoret dhe me çfarë ngarkese po përdoret. Tash këto të dhëna janë dixhitale të cilat ne i pranojmë në serverët tanë dhe në bazat tona të dhënave dhe në të ardhmen sa po të kemi më shumë të dhëna prej këtyre lëvizjeve, këto do të mund t’i fusim në makinat vetë-mësuese, me ndihmën e inteligjencës artificiale do të krijojmë parashikime apo plane parashikuese, ngjarje dhe të krijojmë procedura menaxhimi, t’i optimizojmë ato që i kemi. Aplikacioni është i qasshëm për të gjithë. Momentalisht i ka biletat dixhitale për trafikun urban, shumë shpejt do t’i ketë pagesat e faturave të ndërmarrjeve komunale si rreth pastrimit dhe Termokosit, por do të zgjerohet edhe me kompani të taksive, me shumë shërbime të tjera që e bëjnë jetën e përditshme të qytetarëve më të lehtë dhe qasjen në pagesa prej një platforme shumë më të lehtë”, theksoi ai.
