Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hapa konkretë për të ulur tensionet si rrugë për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për ta rifilluar bashkëpunimin.
Në një përgjigje për Koha.net, Ambasada e ShBA’së në Kosovë ka thënë se po vazhdojnë të vlerësojnë veprimet e qeverisë në detyrë.
Thonë se ia kanë bërë të qartë Qeverisë në detyrë se cila është rruga drejt përmirësimit të raporteve, pas vendimit për pezullim të Dialogut Strategjik shkaku i veprimeve të Kurtit.
“Siç ia kemi bërë të qartë qeverisë në detyrë, dera është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit. Megjithatë, kjo kërkon hapa konkretë nga kryeministri në detyrë Kurti për të ulur tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet ekonomik të ndërsjellë. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, kanë deklaruar nga ambasada.
Duke folur mbi vendimin për pezullim të Dialogut Strategjik, Kurti kishte thënë se nuk janë prishur me Amerikën, por se kanë dallime.
“Në shtyllën e diplomacisë, kemi disa dallime ku shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime, ndonjëherë jo edhe për çështje operacionale dhe taktike”, kishte thënë Kurti.