Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të hënën se marrëveshja për paqe në Gazë “është shumë afër”.
Ai ka thënë në një konferencë për media se është duke punuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu për të arritur paqen në Lindje të Mesme.
“Kjo mund të jetë njëra prej ditëve më të mrekullueshme në civilizim”, ka thënë ai.
Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – në tokën izraelite, në tetor të vitit 2023. Izraeli, më pas, ka nisur fushatë ushtarake për ta shkatërruar Hamasin.
Presidenti amerikan e ka prezantuar një plan për paqe prej 21 pikash, duke thënë se “njerëzve iu ka pëlqyer shumë” dhe e ka falënderuar Netanyahun që “është pajtuar” për të.
Ai ka thënë se plani është përpiluar në bashkëpunim me shumë shtete tjera dhe i ka falënderuar “liderët nga kombet arabe dhe myslimane” si dhe shumë aleatë në Evropë.
Trump ka thënë se nëse plani pranohet prej Hamasit, ai parasheh lirimin e të gjitha pengjeve.
Presidenti amerikan ka thënë edhe të dielën në rrjete sociale se “të gjithë pajtohen për diçka speciale për herë të parë”, dhe i ka përmendur bisedimet që i ka zhvilluar me liderë arabë në Kombet e Bashkuara një javë më parë.
Netanyahu, në anën tjetër, ka dhënë pak arsye për shpresë, pasi në fjalimin e mbajtur të premten në Kombet e Bashkuara, ai është zotuar për “të përfunduar punën” kundër Hamasit dhe e ka kundërshtuar shtetësinë palestineze – e cila është njohur së fundmi nga disa shtete perëndimore.
Aktualisht shtetësia palestineze njihet prej 75 për qind të 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Trump dhe Netanyahu kanë biseduar përmes telefonit me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Mediat kanë raportuar se kryeministri izraelit i ka kërkuar falje al-Thanit për sulmet e Izraelit në Doha më herët gjatë këtij muaji.
Katari ka pasur rol kyç në konflikt meqë ka qenë nikoqir i negociatave në mes të Izraelit dhe Hamasit, mirëpo ky qëndrim është sfiduar pas sulmit të Izraelit në Doha.
Katari e ka dënuar sulmin dhe e ka parë si “shkelje të ligjit ndërkombëtar”.
Ofensiva izraelite në Gazë ka lënë të vdekur mbi 66 mijë palestinezë, kryesisht civilë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat OKB-ja i konsideron kredibile.