Shtohen edhe 6 Autoambulanca për Kujdesin Parësor Shëndetësor

Prishtinë | 01 Tet 2025 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Janë shtuar edhe gjashtë ambulanca për Kujdesin Parësor Shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se tashme kanë nënshkruar marrëveshjen me gjatë komuna të tjera për shpërndarjen e ambulancave të tipit Basic Life Support e që kapin vlerën e 448 mijë e 740 euro.

“Ministria e Shëndetësisë vazhdon përforcimin e kapaciteteve në Kujdesin Parësor Shëndetësor përmes shpërndarjes së autoambulancave për komunat e Republikës së Kosovës. Pas dorëzimit të 6 autoambulancave të reja gjatë muajit qershor, sot Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshje me 6 komuna të tjera për shpërndarjen e autoambulancave të tipit Basic Life Support, me vlerë të përgjithshme prej 448,740 euro”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Sipas tyre përmes kësaj synohet përmirësimi në qasjen e qytetarëve në shërbimet bazë shëndetësore dhe të sigurojë transport të sigurt dhe të standardizuar për pacientët në nevojë.

Po ashtu, gjatë tremujorit të fundit të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë do të shpërndajë edhe 8 autoambulanca të tjera, duke garantuar mbështetje të qëndrueshme për komunat dhe avancimin e mëtejshëm të shërbimeve të Kujdesit Parësor Shëndetësor në vend.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, si dhe U.D. Sekretari i Përgjithshëm, Z. Jahë Gecaj, të cilët theksuan rëndësinë e kësaj mbështetjeje për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në nivel lokal.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryetarë dhe nënkryetarë komunash, të cilët pranuan autoambulancat e destinuara për komunat që ata përfaqësojnë.

Të ngjashme