Prokuroria Speciale e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Mimoza Kusari-Lilës kundër gazetarit Vehbi Kajtazi për publikimin e bisedës telefonike të kryetares së Alternativës me Millan Radoiçiqin.
Në një aktvendim të nxjerrë javën e kaluar, Prokuroria Speciale ka konstatuar se nuk ka gjetur elemente të veprës penale në rastin e publikimit të audio-incizimit të publikuar nga Paparaci.
Kusari-Lila, në tetor të vitit të kaluar parashtroi kallëzim penal për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndaj gazetarit Kajtazi.
Në kallëzim penal, ish-shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes pretendonte se portali Paparaci.com, me drejtor Vehbi Kajtazin, publikoi një gjoja bisedë të fabrikuar “mes saj, Sllavko Simiçit dhe Millan Radoiçiqit”, shkruan Paparaci.
Por, prokurori special Bekim Kodraliu e ka konfirmuar vërtetësinë e audio-incizimit. Ka vlerësuar se, pas dëgjimit me kujdes të bisedës së zhvilluar mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit, nuk ka gjetur elemente për ndjekjen penale të gazetarit.
Sipas aktvendimit, verdikti është marrë pas analizimit të dëshmisë së Kusari-Lilës, dëgjimit të audio-incizimit dhe provave tjera materiale.
“Nga provat personale dhe ato materiale të bashkangjitura në shkresat e lëndës dhe pas analizimit të tyre, e në veçanti pas analizimit të bisedës së zhvilluar mes palëve, e të publikuar në portalin ‘Paparaci.com’ me pronar Vehbi Kajtazi, nuk është vërtetuar me asnjë veprim se të lartcekurit kanë konsumuar elementet e veprës ‘Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’”, thuhet në aktvendim.
Paparaci publikoi në tetor të vitit të kaluar audio-incizimin e një bisede telefonike mes Kusari-Lilës, Sllavko Simiçit dhe Millan Radoiçiqit. Audio-incizimi është autentik. Ai është realizuar në qershorin e vitit 2022.
Komunikimi i Kusari-Lilës me kryeterroristin e Banjkës ishte realizuar me ndërmjetësimin e Sllavko Simiqit, ish-homologut të Kusari-Lilës, deputetit të Listës Serbe.