Instituti i Historisë “Ali Hadri” dhe “Turk Tarih Kurumu” kanë mbajtur sot në Prishtinë tryezën shkencore me temën “Shemsettin Sami Frashëri dhe lëvizjet moderne turko-shqiptare”. Në kuadër të këtij takimi, dy institucionet nënshkruan edhe memorandum bashkëpunimi, që pritet të forcojë lidhjet akademike dhe kulturore ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e Institutit të Historisë, Teuta Shala-Peli, e cilësoi këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy institucioneve.
“Është nder i veçantë të jemi sot këtu për të shënuar një ngjarje me rëndësi. Instituti ynë dhe Turk Tarih Kurumu sot nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit, që është rezultat i një procesi të nisur me vizitën e drejtorit të këtij institucioni. Në këtë kuadër, duhet ta përmendim edhe shkëmbimin e literaturës ndërmjet dy vendeve. Tryeza e sotme është një dëshmi konkrete e fryteve të para të bashkëpunimit. Me veprimtarinë e tij, Sami Frashëri krijoi një urë kulturore që i bashkon dy popujt tanë. Në emër të Institutit, shpreh falënderimin e sinqertë për këtë bashkëpunim,” theksoi ajo.
Në emër të Institutit foli edhe zëvendësdrejtori, Jonuz Pustina, i cili theksoi rëndësinë historike dhe kulturore të figurës së Frashërit.
“Sami Frashëri është një pasqyrë e kulturës së asaj periudhe, një figurë që lidhi botët shqiptare dhe turke. Historia nuk është vetëm përshkrim i ndodhive, por edhe i vlerave. Veprat e tij do të jenë udhërrëfim për shumë breza, sepse ndikimi i tij është i madh si në zhvillimin e gjuhës turke, ashtu edhe të shqipes. Ne do të vazhdojmë ta çojmë përpara këtë frymë bashkëpunimi dhe vlerësimi të ndërsjellë”, tha ai.
Në këtë tryezë mori pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, i cili vlerësoi figurën e Sami Frashërit si një simbol të përbashkët të dy kombeve.
“Kur kemi kaq shumë historianë në mesin tonë, nuk është e drejtë që unë të flas për historinë, por dua të ndaj përvojën time me këtë figurë. Që nga ardhja ime në Kosovë, kam ndjerë një afërsi të madhe mes popullit turk dhe atij kosovar. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me gjeografinë, por me shpirtin dhe historinë e përbashkët,” tha ambasadori.
Ai shtoi se kontributi i Frashërit është i jashtëzakonshëm në të dy kulturat.
“Sami Frashëri ka një rol kyç si në formimin e gjuhës dhe kulturës moderne turke, ashtu edhe shqiptare. Ai është autori i romanit të parë turk dhe, bashkë me vëllezërit e tij, ka ndikuar në zhvillimin e identitetit kombëtar shqiptar. Këto vlera janë themeli mbi të cilin mund të ndërtojmë bashkëpunime të reja kulturore,” tha ai, duke shtuar se në të ardhmen pret të organizohen edhe ngjarje kushtuar vëllezërve Frashëri në Turqi. Nënshkrimi i memorandumit të sotëm është një vlerë shtesë për të dy vendet dhe një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve akademike e kulturore,” përfundoi ambasadori.


