Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka thumbuar subjektet politike pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online. Pasi LDK votoi Nenad Rashiqin për kryetar, Rexhaj tha se njërit subjekt politik u zgjua nga gjumi.
Ndonëse u deshën muaj për votat për pozitën e nënkryetarit, megjithatë ai është i bindur që VV i ka votat për ta bërë Qeverinë, me kandidatin e tyre për kryeministër, Albin Kurtin.
“Fillimisht është hapi i mirë konstituimi i kuvendit është hap i mirë që Rashiq u zgjodh nënkryetar i kuvendit dhe kjo është dashur të bëhet me kohë e jo të vijë puna deri këtu. Siç po shihet njërit subjekt i ka dalë gjumi që ka qenë vëzhgues në këto zgjedhje normalisht unë mendoj se më mirë vonë se kurrë. Ndërsa tani fillon ai procesi ku Kurti fillon të organizohet në kuptimin që t’i ketë 60 deputetë për të bërë qeverinë. Do t’i kemi sigurisht. Natyrisht në ditët në vazhdim në afatin sa parashihet fillon konstituimi i Kuvendit dhe i komisioneve parlamentare derisa Kurti e thërret mbledhjen sigurisht përmes kryetarit edhe votohet qeveria e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Rexhaj ka paralajmëruar se ditët në vazhdim do të jenë intensive, pasi do të tentojnë ta formojnë qeverinë.
“Ne mendojmë se i kemi numrat, kemi një kohë të gjatë për me bisedu e bashkërendu aktivitetet me te gjithë deputetët me të cilët Kurti i ka paraparë, që të jenë pjesë e Qeverisë. Ne kemi preference me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ajo ka thënë jo, dhe ditët në vazhdim do të jenë ditë intensive për ta krijuar shumicën parlamentare normalisht përmes kryeministrit i cili pritet dal dhe të votohet me përbërjen qeveritare”, tha ai.
I pyetur se kush është opsion tjetër dhe se a qëndron ende Nisma, Rexhaj tha se janë të hapur.
“Sigurisht që po sepse prej fillimit e kemi pasur opsion dhe jemi të hapur të ecë puna dhe të kemi progres përpara dhe jo siç ka ndodhur deri më tani”, shtoi ai.
