KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar 7.84% e qytetarëve, Kurteshi denoncon shkelje në veri dhe kërkon deakreditimin e mediave serbe

Prishtinë | 12 Tet 2025 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Në konferencën e dytë për media, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bëri të ditur pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 11:00, si dhe ecurinë e procesit zgjedhor në të gjithë vendin, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se deri më tani procesi po zhvillohet pa probleme dhe në përputhje me rregullat zgjedhore.

“Sipas informatave të siguruara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit deri në këtë fazë po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Deri tani, nuk janë raportuar parregullësi që do të mund të cenonin integritetin apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor. KQZ mbetet në kontakt të vazhdueshëm me trupat zgjedhore në terren dhe institucionet përgjegjëse për të siguruar që çdo aspekt i procesit të vazhdojë sipas ligjit dhe rregullave zgjedhore,” tha Radoniqi.

Ai njoftoi se deri në orën 11:00 kanë votuar 7.84% e qytetarëve me të drejtë vote.

“Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 94% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 158 mijë e 691 votues apo 7.84%, nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues. Deri në të njëjtën kohë, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021 kishin votuar 152 mijë votues apo 8.2% e votuesve nga 1 milionë e 885 mijë e 448 votues,” theksoi ai.

Gjatë konferencës, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ngriti shqetësime për shkelje të rregullave zgjedhore në veri të Mitrovicës.

“Kam marrë raportin e sekretariatit dhe në ndërkohë kemi bërë përpjekje me i përcjellë ngjarjet, ku unë ngre shqetësimin që ka ngjarje në pjesën veriore të Mitrovicës, ku Lista Serbe ka organizuar tubim. Është thyerje e Kodit të Mirësjelljes sepse fushata zgjedhore është mbyllur. Sot është mbajtur tubim. Në mënyrë të organizuar kanë shkuar në qendra të vendvotimeve, kemi fotografi që qëllimisht janë bllokuar qendrat e vendvotimit,” tha Kurteshi.

Ai kërkoi gjithashtu që disa media serbe të humbin akreditimin për shkak të gjuhës propagandistike kundër Kosovës.

“Kërkoj që të deakreditohen RTS dhe Tanjugu (mediat serbe) për shkak të gjuhës që po e përdorin,” tha ai.

Të ngjashme