Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, rezulton që pjesëmarrja e votuesve deri në orën 19:00, është 39.07, raporton Ekonomia Online.
Kështu ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në konferencën për media, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve në mbarë Kosovën.
Gjatë konferencës kryetari i KQZ-së tha se gjatë ditës nuk janë evidentuar incidente që do të mund të cenonin integritetin apo besueshmërinë e procesit zgjedhor.
“Procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit”, thuhet në komunikatë.
KQZ bëri të ditur se disa probleme të natyrës teknike janë raportuar gjatë ditës, por ato janë adresuar me efikasitet përmes ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të drejtpërdrejtë nga komisioni, duke mundësuar vijimin e pandërprerë të procesit të votimit.
Në emër të institucionit, KQZ falënderoi Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit për angazhimin në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Sipas të dhënave preliminare nga rreth 95% e vendvotimeve, deri në orën 19:00 kanë votuar 791 mijë e 123 qytetarë, apo 39.07% e votuesve me të drejtë vote, nga gjithsej 2 milionë e 25 mijë e 105 votues të regjistruar. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, në të njëjtën periudhë kohore kishin votuar 770 mijë e 171 votues, apo 43% nga 1 milionë e 885 mijë e 448 votues.
Pas mbylljes së vendvotimeve, ka nisur numërimi i fletëvotimeve në të gjitha qendrat e votimit. “Procesi i numërimit po zhvillohet në dy etapa: fillimisht numërohen votat për kandidatët për Kryetarë të Komunave, ndërsa më pas vazhdohet me numërimin e votave për subjektet politike që garuan për Kuvendet Komunale”, sqaroi KQZ.
Institucioni i bëri thirrje anëtarëve të këshillave të vendvotimeve që të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe përgjegjësi, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore për të garantuar vullnetin e qytetarëve.
Po ashtu, nga ora 19:00 ka filluar afati 48-orësh për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me procesin e votimit të sotëm.
KQZ njoftoi se për orën e saktë të konferencës së radhës, ku do të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për kryetarë komunash dhe të subjekteve politike për kuvendet komunale, mediat dhe qytetarët do të informohen me kohë nga zëdhënësi i institucionit.

