KQZ sqaron vonesat në Prishtinë: Platforma funksionon normalisht, problemi është interneti i dobët

Prishtinë | 13 Tet 2025 | 21:09 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se platforma e rezultateve të KQZ-së po funksionon pa asnjë problem, ndërsa ka sqaruar se vonesat në transmetimin e pamjeve në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prishtinë po ndodhin për shkak të internetit të dobët, raporton Ekonomia Online.

“Nuk ka ndonjë problem me funksionimin e platformës së rezultateve të KQZ-së, por, për shkak të internetit të dobët, në QKN e Prishtinës shpeshherë po ka probleme me transmetimin e pamjeve në televizorët apo ekranet për vëzhguesit,” ka thënë Elezi.

Ai ka sqaruar se në këto ekrane shfaqen pamjet nga kamera e vendosur në tavolinën e numërimit, ku prezantohen fletëvotimet për t’u parë nga të gjithë vëzhguesit e pranishëm.

“Pra, nuk ka rënë sistemi apo platforma e rezultateve, pasi ajo po funksionon pa asnjë problem dhe po mundëson këtë proces në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat tjera, ashtu siç ka funksionuar edhe të dielën me transmetimin e rezultateve preliminare dhe statistikave tjera nga votimi,” ka shtuar ai.

Sipas Elezit, deri më tani janë verifikuar rezultatet nga zgjedhjet për kryetarë të komunave, rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale, si dhe janë numëruar votat për anëtarë të Kuvendeve Komunale nga mbi 200 vendvotime në nivel vendi.

Të ngjashme