Fetoshi: Gërvalla i dha Serbisë përgjigjen e duhur në OKB, Këshilli i Sigurimit po dështon të mbrojë viktimat

Prishtinë | 22 Tet 2025 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka hedhur kritikat të ashpra ndaj rolit të Këshillit të Sigurimit në OKB, duke e cilësuar si një forum që po humb besueshmërinë, e krejt kjo për shkak të dështimit për të adresuar agresorët dhe për të mbrojtur viktimat.

Fetoshi, në një intervistë dhënë për Ekonomia Online, ka thënë se gjithçka po është vetëm një spektakël i recitimeve monotone të fjalimeve nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

“Në qoftë se i referohemi Këshillit të Sigurimit, mendoj që kemi të bëjmë me një imazh gjithnjë e më të grotesk të forumit më të rëndësishëm ndërkombëtar, i cili do të duhej të adresonte realisht agresorin, realisht përgjegjësin dhe të mbronte viktimat, për shkak se karta e OKB-së e mandaton për një gjë të tillë. Pra, asnjëherë nuk po e shohim këtë dhe në vazhdimësi po shohim një spektakël të recitimeve monotone të fjalimeve nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit, dhe ironia në këtë rast është edhe më e madhe kur kemi parasysh udhëheqjen aktuale të Këshillit të Sigurimit nga Rusia në kontekstin e një agresori brutal ndaj Ukrainës dhe një kërcënuesi më të madh të paqes dhe sigurisë në kontinentin e Evropës, si aleati më i rëndësishëm për Serbinë, gjithmonë brenda kontekstit të kërcënimeve që ata paraqesin nëpërmjet Serbisë edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti”, deklaroi Fetoshi.

Mënyra si po vepron Këshilli i Sigurimit, sipas Fetoshit, është dëshmia për një krizë të thellë të vetë OKB-së.

“Kjo është farsa që e karakterizon sot Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ky është cinizmi që më bën të besoj se OKB është duke dështuar në mandatin e saj për të ruajtur paqen dhe sigurinë në botë”, tha Fetoshi për Ekonomia Online.

Duke folur për qëndrimin e Britanisë së Madhe, e cila ka ritheksuar thirrjen ndaj Serbisë që të bashkëpunojë për tkurrjen e tensioneve dhe të sigurojë përgjegjësinë penale të autorëve të sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, Fetoshi tha se këto thirrje nuk janë shoqëruar me veprime konkrete.

 “Unë besoj që këto thirrje kanë qenë permanente, mirëpo kanë ngelur në nivel të thirrjeve dhe asgjë më shumë. Kjo është ajo që unë e quaj cinizmi që po manifeston dështimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara sot, për shkak se Serbisë i lejohet në vazhdimësi që të përdorë retorikën mashtruese nëpërmjet dezinformimit dhe gënjeshtrave të paskrupullta lidhur me Kosovën. Në anën tjetër, asnjëherë nuk i kërkohet përgjegjësi për Radoiçiqin dhe për të gjitha veprimet e tjera kriminale kundër rendit kushtetues të Kosovës, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një thirrje të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar që Serbia të ndjekë terroristët e Banjskës në krye me Radoiçiqin,” tha Fetoshi.

Fetoshi ka vlerësuar se ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i ka dhënë përgjigjen e duhur strategjike ndaj përpjekjeve të Serbisë për ta shfrytëzuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) si platformë për propagandë kundër Kosovës.

“Ministrja në detyrë Gërvalla mendoj që mbrëmë i ka dhënë përgjigjen e duhur strategjike nevojës së vazhdueshme të Serbisë që ta shfrytëzojë OKB-në si një platformë për t’i amplifikuar të pavërtetat e saj në raport me Kosovën dhe për të maskuar qëllimet hegjemoniste ndaj Kosovës. Pra, duke i ftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit për vizitë në Kosovë që të njihen me realitetin këtu, Gërvalla i ka dhënë përgjigjen e duhur strategjike për të vërtetën e Kosovës, e cila vazhdimisht ka tentuar të deformohet nga Serbia, jo vetëm në OKB, por në çfarëdo forumi tjetër ndërkombëtar”, tha Fetoshi.

Gërvalla, e vlerësoi raportin si të anshëm dhe të paplotë, duke theksuar se Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkanin Perëndimor” dhe se Serbia është një kërcënim i vërtetë për rajonin.

Në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gërvalla denoncoi përfshirjen e strukturave të regjimit të Vuçiqit në nxitjen e dhunës, krimit të organizuar dhe propagandës kundër Kosovës.

Ajo theksoi se Ministri i Jashtëm aktual i Serbisë, Marko Gjuriq, është bashkëpunëtor i afërt i kriminelëve që organizuan sulmin në Banjskë. “Pas agresionit paramilitar, ai u ul për kafe me mikun e tij, vrasësin Radoiçiq. Kjo është pamja e vërtetë e politikës serbe”, deklaroi Gërvalla.

Më tej ajo në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, tha se “Asnjë nga këto nuk gjendet në raportet e UNMIK-ut, të cilat shpesh janë të njëanshme dhe anashkalojnë faktet bazike”.

Të ngjashme