Bekë Berisha i AAK-së në tavolinë me kandidatin e VV-së në Pejë Taulant Kelmendin

Prishtinë | 22 Tet 2025 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Pas ujdisë së kandidates së AAK-së në Fushë Kosovë Vildane Latifi, me kandidatin e VV-së në këtë komunë, Valon Prebreza e koalicionit të Xhafer Tahirit të LDK-së me LVV-në në Vushtrri, në horizont po duken edhe takime për marrëveshje të tjera të mundshme.

Gazeta Infokus ka siguruar pamje ekskluzive të kandidatit të AAK-së për komunën e Prishtinës me prejardhje nga Istogu, Bekë Berisha në një takim me kandidatin e LVV-së në komunën e Pejës Taulant Kelmendi i cili në balotazh pritet të përballet me Gazmend Muhaxherin e LDK-së. Ata janë parë në njërën prej kafeneve në afërsi të qeverisë. Në tavolinë së bashku me ta ishte edhe sekretari i LVV-së në nivel qendror, Alim Rama.

Taulant Kelmendi kandidati i LVV-së që shihet në këto fotografi në zgjedhjet e 12 tetorit ka dalë i dyti me 27.81% pas Gazmend Muhaxherit të LDK-së, kryetarit aktual të kësaj komune i cili mori besimin e mbi 46% të qytetarëve dhe pritet të përballen sërish në balotazh me 9 nëntor.

Ndërsa kandidati i AAK-së në këtë komunë Ali Berisha, ka marrë 18.22% të votave në Pejë.

AAK-ja siç duket ngadalë po bie pre e partisë “që po e sillte Serbinë në Kosovë”. Derisa kritikat në nivelin qendror për Kurtin e partinë e tij nga AAK-ja janë të ashpra madje jo më larg se dje deputeti i kësaj partie, Lahi Brahimaj, deklaroi se LVV nuk ka shanse për koalicion me AAK-në në formimin e qeverisë përderisa një atmosferë krejtësisht tjetër po zhvillohet në nivelin komunal.

Janë të pafundme deklaratat publike ku kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e deputetë të kësaj partie përfshirë këtu edhe Bekë Berishen, Kurtin e quanin e vazhdojnë ta quajnë “njeri të Serbisë”.

“Sjellja e tij rrezik për Kosovën, Serbia gati të përfitojë”, është kjo një deklaratë e Haradinajt për Kurtin e bërë këtë muaj, pasi SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën.

Kujtojmë se Bekë Berisha në garën në Prishtinë ka pësuar një humbje të thellë nga kundërkandidatët duke marrë vetëm 3.11% të votave.

Të ngjashme