Sulmi ndaj televizionit “Dukagjini”, AGK i reagon ashpër Pecit: Akuza me potencial shumë të rrezikshëm

Prishtinë | 29 Tet 2025 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj minsitrit në detyrë të Bujqësisë, njëherit edhe kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci i cili nëpërmjet një shkrimi në “facebook” e ka quajtur televizionin “Dukagjini” qendër opertaive të ndërmarrjes kriminale.

Shkrim ky i tij që vjen duke reaguar edhe për rezultatin e Exit Pollit që ishte publikuar mbrëmjen e 12 tetorit në “Debat Plus” me Ermal Pandurin.

“Fushatë e rëndë intimiduese e Faton Pecit kundër TV Dukagjini. Kandidati i partisë politike Vetëvendosje për komunën e Mitrovicës Jugore, Faton Peci ka vazhduar sulmet e ulëta dhe të papranueshme kundër TV Dukagjinit, nëpërmjet një postimi në rrjetet e tij sociale.  Duke iu kthyer Exit-Pollit të 12 tetorit, Peci e ka quajtur mes tjerash TV Dukagjinin si “qendra operative e ndërmarrjes kriminale”. AGK-ja e konsideron komunikimin e Pecit si thellësisht të papërgjegjshëm, dhe akuzë me potencial shumë të rrezikshëm. Është e papranueshme që një politikan si zoti Peci të japë kualifikime kaq të rënda për një media, në kuadër të betejës politike të tij dhe partisë politike që përfaqëson”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK kanë kërkuar që Peci dhe Vetëvendosje urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve, paçi që kështu ata shërbejnë si nxitës për sulme të vazhdueshme ndaj tyre.

“AGK-ja kërkon nga zoti Peci dhe Vetëvendosje që urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve, pasi që ato shërbejnë si nxitje për sulme të vazhdueshme ndaj tyre.  Ambienti i mediave për të bërë punën e tyre është vështirësuar shumë, për shkak të retorikës së papranueshme si kjo e zotit Peci. Mediat duhet të lihen të lira të raportojnë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”, thuhet mes tjerash në reagim.

Peci paraditën e kësaj të mërkure ka shkruar “Si funksionoi skema kriminale e PDK-se ne bashkepunim me disa “medie”, që kulmoi me exit pollet dhe TV Dukagjinin si qendra operative e ndermarrjes kriminale? Pas me shume se nje viti dhe mandej nje muaji fushate të organizuar, të ngjeshur, të orkestruar e të sofistikuar linçimi, njollosjeje, fyerjeje e sulmi kundër meje si figurë publike e politike, por si individ e si person dhe ku ishte përdorur edhe portretizimi im si ushqyes i ndasive e urrejtjes ndërfetare – një gjë që secili nën këtë qiell e din se nuk mund të më mvishet – më 12 tetor ishte finalja e krejt këtij organizimi kriminal, që tash po e kuptoj edhe nga informatat nga tereni se udhëhiqej nga Bedri Hamza. Politikani qe fshihet pas gezofit te politikanit te urte, po qe na del te jete politikani me percares ne trojet shqiptare, i cili eshte i gatshem te fute edhe percarje ndershqiptare e nderfetare per nje grusht vota. Gjatë 12 tetorit 2025, TV Dukagjini ishte njëra nga qendrat operative të këtij aranzhimi propagandistik. Duke mos harruar partnerin si-moter Baton Haxhiun”.

Ai hedhi dyshime për exit pollët.

“Exit pollet që ky televizon kishte kontraktuar e sponsorizuar, nuk u përdorën për të matur vullnetin qytetar, por për ta ndërtuar një narrativë të rreme për rezultatin, për ta dekurajuar votuesin tim dhe para se të kuptohej e vërteta e këtij krimi, për t’i dekurajuar komisionerët e vëzhguesit e zgjedhjeve në Mitrovicë. Dëshmitarët e dorën së parë po na tregojnë se kur u deklaronin atyre që bënin exit poll-et, se kishin votuar për Faton Pecin, anketuesit u përgjigjeshin se “ka problem me sistemin” dhe vota e tyre shpërfillej me porosinë e kriminelëve që ishin paguar ta krijojnë gënjeshtrën e madhe. Në mesditën e 12 tetorit, pronari i UBO ka thirrë stafin tim dhe është përpjekur t’i bind se gjithçka kishte marrë fund – paramendo: në mesditë – dhe se ne kishim pësuar disfatë, duke shfaqur kështu botërisht dhe pa turp innxhinieringun e tyre për krimin e exit poll-eve në Mitrovicë. Gjatë tërë ditës së zgjedhjeve, analistë të dreqit e të paguar kanë publikuar postime duke u bazuar te rezultatet e exit polleve qe perbejne shkelje flagrante  e  duke paraqitur garen e perfunduar me rezultat te thelle duke thyer rregullat zgjedhore dhe kanë ndikuar tepër negativisht në frymën e votimit dhe kanë vënë shtyllat e narracionit kriminal të exit poll-eve që ishin parapërgatitur”, ka shkruar ai.

Më tej ai pretendon se raportimi për rezultatin ishte i përgatitur.

“Ndërkohë, rezultatet e këtyre exit polleve u publikuan me bujë të madhe në TV Dukagjini, të shoqëruara me komente fyese, tallëse dhe tendencioze nga analistët pas publikimit të rezultateve të inxhinieringut kriminal. Ky proces nuk ishte thjesht raportim mediatik, por një skemë e përgatitur për të ndikuar opinionin publik dhe për të krijuar përshtypjen e një fitoreje të paracaktuar, shumë përpara numërimit real të votave. Po ashtu, gjatë tërë ditës në mënyrë të vazhdueshme e të organizuar, qytetarët e Mitrovicës, e mes tyre edhe pjesëtarët e ekipit tim zgjedhor janë kontaktuar me thirrje anonime, me fshehje të numrit dhe janë dekuraju, dezinformu, janë gënjyer e janë çorientuar, me t’vetmin qëllim: që të krijojnë terren të plleshëm për exit poll-et kriminale të Mitrovicës me mundesine qe edhe ndonjeri komisioner nga deshperimi te largohet nga qendra e votimit. Thirrje pa numër kishin edhe komisionerët e vëzhguesit dhe stafi i Vetëvendosjes në zyren e partisë. U prezantua 23% distanca ne rezultat e ne fituam. Mirepo perkunder gjithe ketij terrori, Mitrovica nuk u thye”, ka shkruar Peci.

Ndaj këtyre akuzave të pabaza të Pecit, ka reaguar moderatori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri.  Panduri ia ka bërë të qartë Pecit se publikimi i rezultateve të Exit Pollit nga UBO Consulting nuk është as skemë kriminale, as inxhiniering, as komplot.  

“I dashuri Faton, Jam i vetëdijshëm që je në kërkim të një “armiku” për pjesën e dytë të fushatës, por të lutem, mos e shpik aty ku nuk ekziston. Po e ripërsëris, qetë dhe pa asnjë dramatizim: exit poll-i për Mitrovicën e Jugut ka qenë i pasaktë. Dhe UBO Consulting, si organizatë përgjegjëse dhe e cilësuar jo rrallëherë si më e besueshmja nga partnerët e juaj të sotëm, e ka pranuar gabimin, publikisht, vetëm një ditë pas zgjedhjeve. Kaq. Nuk është as skemë kriminale, as inxhiniering, as komplot. RTV Dukagjini, por edhe unë personalisht, nuk kemi asnjë parapëlqim për ndonjërin prej jush që jeni në garë elektorale, siç duket ndryshe nga disa njerëz të koalicionit tuaj që ditën përkatëse na shprehnin me telefon dëshirën e tyre që të fitoj kundërkandidati juaj”, ka shkruar Panduri në rrjetin e tij social “Facebook”.

Madje ai i bëri thirrje Pecit që mos të bëjë përpjekje për të krijuar artificialisht një armik vetëm që të polarizojë për mobilizim elektoral.

“Ndaj të lutem Faton, mos tentoni të krijoni artificialisht një armik vetëm që të polarizoni për mobilizim elektoral. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë punën tonë në kërkim të së vërtetës, me të njëjtën qetësi si gjithmonë. Pa polemikë të shpikur, pa dramë të porositur. I keni studiot të hapura për këtë. Ju mirëpresim. Nëse keni prova është Prokuroria. Nëse keni plan për Mitrovicën është edhe DebatPlus-i. Me mirësjellje”, ka shkruar Panduri në Facebook.

Të ngjashme