I është vazhduar masa e paraburgimit Ana Murganiq, serbes nga Mitrovica e Veriut cila u arrestua bashkë me të dashurin e saj, pilot në Ushtrinë e Kroacisë dhe pjesë e KFOR-it në Kosovë, nën dyshimin për spiunazh.
Gjykata e Qarkut në Split e ka vazhduar këtë masë të paraburgimit mbi arsyen se ekziston rreziku për arratisje.
“Është refuzuar propozimi për lirimin. Ajo mbetet në paraburgim për shkak të rrezikut nga arratisja – mësojmë nga Gjykata e Qarkut në Split. Kujtojmë, të dashurit të saj së fundmi i është hequr paraburgimi dhe i është caktuar masa e kujdesit për ndalimin e kontaktit me një nga dëshmitarët, i cili ende nuk është dëshmuar”, shkruan 24sata.hr.
Murganiq, ka qenë pjesë e UNMIK-ut, EULEX-it, ka pasur lidhje me gjyqtarë e prokurorë të këtyre misioneve, sipas raportimeve nga mediat në Kroaci.
Nga Eulex patën thënë vetëm se janë në dijeni që një ish-punëtore e tyre, është përfshirë në një hetim.
“A.M punoi gjithashtu për Misionin e Bashkimit Evropian për Vendosjen e Sundimit të Ligjit në Kosovë, detyra e të cilit është të ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe policinë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit (EULEX) dhe Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNIMIK). Dyshohet se ajo kishte lidhje të ngushta me shumë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, të cilët, sipas burimeve, dyshohet se i kishte shantazhuar”, thuhet në këtë raportim.
Raportimet e mediave kroate kur e dyshuara për spiunazh u arrestua
Murganiq, ka qenë e rekrutuar në këto institucione nga shërbimet sekrete të Serbisë.
“Shërbimet serbe rekrutuan dhe inkurajuan punësimin e serbëve në organizatat ndërkombëtare në Kosovë, duke i përdorur ata për të ofruar informacion dhe për të ndërhyrë në drejtësi, veçanërisht kundër anëtarëve të UÇK-së. Sipas burimeve, AM informoi vazhdimisht zyrtarët e Listës Serbe për ngjarjet në këto organizata”, thuhet më tutje.
Davor Gjenero, ekspert i politikës së jashtme dhe njohës kroat për zhvillimet e rajonit, ka thënë për Nacionalen se veprimet e tilla të Serbisë, nuk janë për t’u befasuar.
“Nuk është befasi për askënd. Kjo metodë operimi ka qenë edhe në Kroaci, asgjë e re, asgjë beafsuese. Besoj se asnjëherë nuk do të mund të dimë më shumë për këtë rast, sepse autoritet në Kroaci nuk kanë interes me publiku problemet e tyre të brendshme. Është shumë mirë që ky problem është zgjidhur, por kjo duhet të jetë alarm për të gjitha anëtaret e NATO-s që operojnë në Kosovë”, tha ai për Nacionalen.
Jozyrtarisht u raportua se kjo serbe, ka qenë pjesë edhe e disa organizatave joqeveritare në veri.
Ajo bashkë me të dashurin e saj, pilot në KFOR, kishin çuar informacione te Lista Serbe.
Të dy ishin arrestuar një herë, e më pas u liruan. Por, pasi u kapën mesazhe të reja, u arrestuan sërish.
“Edhe pse nuk ka informacion zyrtar në lidhje me detajet për të cilat akuzohen, gjë që pritet duke pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës, në media doli informacioni se AM, një sociologe e punësuar nga një organizatë gjermane, po mblidhte të dhëna që i dashuri i saj piloti ia kishte dhënë për vendosjen e saj në misionin e KFOR-it në Kosovë. Ajo më tej ia transmetoi ato udhëheqësve të partisë kryesore serbe në Kosovë, “Srpska lista”, e cila bashkëpunon ngushtë me Qeverinë e Republikës së Serbisë, dhe, duke hetuar telefonin celular, kjo u vërtetua edhe te një gazetar i një agjencie të njohur ndërkombëtare lajmesh. Kështu, thuhet se dyshja, nëpërmjet aplikacionit ËhatsApp, shkëmbyen mesazhe me informacione konfidenciale në lidhje me lëvizjet dhe planet e forcave të KFOR-it në lidhje me situatën në veri të Kosovës, për të cilën autoritetet serbe janë veçanërisht të interesuara”, thuhet më tutje në këtë raportim.
Piloti kroat e njoftoi të dashurën lidhur me zhvillimet për rastin e Dejan Pantiq, që ishte arrestuar kohë më parë nga institucionet e Kosovës.
“Sipas informacioneve të rrjedhura, piloti dhe e dashura e tij zbuluan informacione konfidenciale në katër raste specifike. Në një nga këto raste, piloti JI i kaloi partneres së tij informacione në lidhje me veprimet e trupave të KFOR-it në Zubin Potok, një vendbanim në veri të Kosovës me shumicë popullsie serbe, i cili ishte skenë konflikti dhe tensionesh ekstreme midis serbëve atje dhe autoriteteve të Kosovës. Përveç kësaj, piloti kroat kaloi gjithashtu informacione konfidenciale në lidhje me rastin e Dejan Pantić, një ish-anëtar i policisë së Kosovës i cili u arrestua në fillim të dhjetorit 2022 me dyshimin për pjesëmarrje në sulmin ndaj zyrës së Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës. Arrestimi i Pantić çoi në një trazirë nga popullsia serbe dhe bllokimin e pikave kufitare me Serbinë”, thuhet më tutje.
Nuk dihet nëse në këtë rast, janë të përfshirë në ndonjë formë, edhe institucionet e Kosovës.
Deklarata e NATO-s për arrestimin e “spiunit” kroat
“Ne i marrim këto akuza shumë seriozisht. Siguria e personelit të NATO-s dhe integriteti i informacionit të klasifikuar janë parësore. Ju referojmë te autoritetet kroate për çdo koment mbi arrestimet dhe hetimet në vazhdim”, pati thënë tha një zyrtar i NATO-s.
Për çfarë akuzohen ata?
Piloti akuzohet për një formë më të rëndë të krimit, e cila mbart një dënim deri në 10 vjet burg, sepse, sipas prokurorisë, ai ishte personi që zbuloi informacion sekret, raportonte media kroate “Index”.
Partnerja e tij përballet me një dënim prej një deri në pesë vjet burg sepse dyshohet për një formë më të butë të spiunazhit, përkatësisht mbledhjen e informacionit sekret dhe transmetimin e tij. Përveç rrezikut të ndikimit te dëshmitarët, ajo u la në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, për të cilin ajo mund të ofrojë lirim me kusht në vazhdimin e hetimit.
Edhe pse prokuroria kërkoi që ata të dërgoheshin në paraburgim për shkak të rrezikut të përsëritjes së krimit, gjykata arriti në përfundimin se kjo nuk mund të ndodhte më pasi piloti nuk ishte më i angazhuar në misionin në Kosovë.
Siç u raportua, dyshohet se ai po i jepte partneres së tij informacione që i kishte në dispozicion si pjesëtar i forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Ata u njohën 9 vjet më parë në Kosovë
Rastësisht, çifti, mëson “Index”, u takua në vitin 2016 në Kosovë. Në atë kohë, ai ishte pjesëtar i kontingjentit kroat në KFOR, dhe ajo punonte si përkthyese në misionin EULEX. Marrëdhënia e tyre ka vazhduar me ndërprerje për nëntë vjet. A.M. ka shkuar shpesh në Kroaci gjatë gjithë këtyre viteve, ku përfundimisht u arrestua.
Piloti dyshohet se u ka pohuar hetuesve, të cilët i morën në pyetje pas fillimit të këtyre procedurave, se partnerja e tij i dërgonte vetëm të dhëna të motit që ishin të rëndësishme për fluturimin e tij. Ai mohoi se ata shkëmbyen informacione konfidenciale. Përveç kësaj, mediat kroate raportuan dje se ai ishte i vetëdijshëm se po akuzohet, ndërsa A. M. është vetëm një viktimë anësore.
Akuza: Ai supozoi se vajza mund të tregtonte informacione sekrete
Megjithatë, sipas akuzës, ai i dha asaj informacione në lidhje me lëvizjet dhe pozicionet e forcave të KFOR-it, dhe ajo ia përcolli ato duke përdorur aplikacione të koduara.
Ai vetë, pretendon akuza, pranoi se supozonte se A.M. mund të tregtonte informacione sekrete. Hetimi do të vazhdojë të hedhë dritë mbi atë se çfarë saktësisht ishte e përfshirë. Konkretisht, A. M. ishte punësuar gjithashtu si ndërmjetëse, ose një person në terren për ekipe të shumta gazetareske.
“Vërtet e ngatërruat punën mbrëmë”
Akuzat kundër çiftit bazohen në mesazhe që hetuesit gjetën në telefonat e tyre celularë. Ndër të tjera, ata korrespondonin rreth ngjarjes së 25 dhjetorit 2022, kur pjesëtarët e KFOR-it u sulmuan në Zubin Potok.
Në atë kohë, A.M. i shkroi gjithashtu shokut të saj të fëmijërisë, Vladimir Radivojeviq, i njohur si “Mami”, një nga përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës. Ai vjen nga Mitrovica, si ajo, por autoritetet e Kosovës e konsiderojnë atë një nga udhëheqësit e të ashtuquajturës “Brigada Veriore”, një organizatë aktive në veri të vendit që është e lidhur me strukturat nga Beogradi.
“Mami” është gjithashtu i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë 2023, dhe një aktakuzë u ngrit kundër tij në vitin 2024 para Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës.
Hetuesit e konsiderojnë mesazhin që A. M. i dërgoi atij si të diskutueshëm, duke shkruar: “Duhet ta rregulloni sulmin ndaj KFOR-it në çdo mënyrë që dini dhe mundeni”. Po atë ditë, i dashuri i saj pilot i dërgoi një mesazh: “Vërtet e keni dhjerë punën mbrëmë”.
Bashkëpunimi me shërbimin gjerman
Në mbrojtjen e saj, A.M. dyshohet se pretendoi se ka punuar për shërbimin sekret gjerman. Bëhet fjalë për Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND), i cili merret me mbledhjen dhe analizën e të dhënave të inteligjencës nga jashtë.
Dihet se Gjermania ishte ndër vendet kryesore të përfshira në misionin KFOR nën udhëheqjen e NATO-s, dhe është gjithashtu një nga donatorët më të mëdhenj për Kosovën përmes investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe ekonomi. Ishte gjithashtu ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe mbështet vazhdimisht integrimin e saj evropian dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Çka tha NATO-ja për arrestimin e “spiunit” kroat?
NATO është deklaruar për Klan Kosovën rreth arrestimit të pilotit të ushtrisë kroate, J.I., i cili ka shërbyer edhe në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s Personi i dytë, i arrestuar është e dashura e tij, një serbe nga Kosova, Ana Murganiq.
Kjo e fundit dyshohet se merrte informacione nga i dashuri i saj, piloti kroat, për aktivitetet e KFOR-it në pjesën veriore të vendit, e të cilat më pas ia përcillte strukturave serbe në veri, përfshirë Listës Serbe, por edhe vetë Serbisë.
Në deklaratën e NATO-s thuhet se akuzat e këtilla i marrin me seriozitet të lartë.
“Ne i marrim këto akuza shumë seriozisht. Siguria e personelit të KFOR-it dhe integriteti i informacionit të klasifikuar janë parësore”, tha një zyrtar i NATO-s për televizionin.
Duke mos dashur të thellohen më shumë në rastin, nga NATO-ja rekomanduan që për koment të mëtejmë t’i drejtohemi autoriteteve kroate.
“Ju referojmë te autoritetet kroate për çdo koment mbi arrestimet dhe hetimet në vazhdim”, tha ky zyrtar i NATO-s për Klanin.
Për këtë çështje ka reaguar edhe qeveria e Kosovës, e cila, përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu, tha se informacionet sekrete janë të mbrojtura, duke mohuar se Murganiq ka pasur qasje në to.