Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve (ICPA), për projektin inovativ “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar këtë si një sukses të përbashkët dhe shpërblim për përkushtimin e institucioneve vendore.
“Shumë e lumtur dhe krenare që puna dhe përkushtimi për avancimin dhe reformimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës po shpërblehen me sukses ndërkombëtar,” ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas saj, ky është “sukses i përbashkët, i kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, stafit të jashtëzakonshëm të SHKK-së dhe i partnerëve tanë”, ka shkruar Haxhiu.
Lajmin fillimisht e ka bërë të ditur Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Ismail Dibrani, i cili ka theksuar se ky është një moment historik për institucionin.
“Lajm historik për Shërbimin Korrektues të Kosovës! Jashtëzakonisht i lumtur për një sukses të jashtëzakonshëm që na nderon të gjithëve!” ka shkruar ai, duke shtuar se ky çmim është “njohje e qartë për transformimin e thellë, përkushtimin e palëkundur dhe profesionalizmin e çdo punonjësi të Shërbimit Korrektues të Kosovës, njerëz që çdo ditë punojnë me zemër, integritet dhe vizion për një sistem korrektues më njerëzor dhe më efikas”, ka shkruar ai.
Dibrani ka falënderuar gjithë stafin, Qeverinë e Kosovës, si dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë mbështetur këtë proces.
“Falënderim i veçantë për Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, i cili ka luajtur rol vendimtar në arritjen e këtij suksesi historik,” ka shkruar ai, duke veçuar edhe mbështetjen e Ambasadës Amerikane, EULEX-it, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së.
Në fund, ai ka theksuar se “ky çmim nuk është vetëm i yni – është i Kosovës, i çdo zëri që beson në ndryshim, rehabilitim dhe dinjitet njerëzor,” duke shtuar se SHKK do të vazhdojë me “përkushtim edhe më të madh, që të mbetet lider jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.”