Faqja false e Postës Shqiptare çon në pranga dy të huaj në Tiranë

Prishtinë | 01 Nën 2025 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar dy persona, shtetas të huaj, të dyshuar për mashtrim të qytetarëve përmes një faqeje që imitonte atë të Postës së Shqipërisë.

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

E gjitha ka nisur pas njoftimeve të marra nga qytetarë për dërgimin e SMS-ve mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare, me qëllim përfitimin e të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve.

“Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe teknike, u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit e huaj C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç. Hetimet kanë treguar se këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare”.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronin, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme”, u tha në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, policia tha se po vazhdon, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Policia e Shtetit rikujton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe apelon:

Mos klikoni në lidhje (linke) të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve apo rrjeteve sociale;

Mos jepni asnjëherë të dhëna personale, numra kartash, PIN apo fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;

Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara se të kryeni çdo veprim online;

Në rast dyshimi, raportoni menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.

Policia e Shtetit, thirrje për qytetarët:

Nëse ndonjë qytetar i është përgjigjur mesazheve mashtruese dhe ka vendosur të dhënat e tij personale apo bankare në faqet e falsifikuara, i bëjmë thirrje të paraqitet sa më shpejt në Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë, ose të kontaktojë menjëherë për të raportuar rastin dhe për të marrë ndihmën e nevojshme.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të mbrojtur qytetarët nga veprimtaritë e paligjshme në hapësirën digjitale dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi sigurinë kibernetike.

Të ngjashme