Një nga baletet më të magjishme të epokës romantike “La Sylphide”, sonte shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë.
Në versionin koreografik të August Bournonville, me muzikë të Herman Severin Løvenskiold dhe nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, trupa e baletit dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së sjellin një mbrëmje përrallash.
Gjithçka lidhet me një udhëtim në Skocinë e mjegullt ku dashuria, ëndrra dhe tragjedia vallëzojnë në një nga baletet më romantike të të gjitha kohërave.
James, i rrëmbyer mes realitetit dhe ëndrrës, në mëngjesin e ditës së martesës, zgjohet nga një puthje e lehtë. Sylphide, një krijesë ajri që e thërret drejt botës së saj të padukshme. Ai përpiqet ta harrojë, por fryma e saj e ndjek kudo.
Një shtrigë e vjetër, Madge, i profetizon të fejuarës së tij, Effies, se do të martohet me kushëririn Gurn, jo me James-in. I ndarë mes dashurisë tokësore dhe asaj qiellore, James ndjek Sylphide-n në pyllin e saj magjik. Duke u përpjekur për ta mbajtur pranë atë, ai bie pre e mashtrimit të shtrigës dhe i hedh mbi supe një shall të helmuar, duke e shuar atë.
Repriza e shfaqjes “La Sylphide”, do të jepet me 4 dhe 5 nëntor, duke filluar nga ora 20:00.