Shpresë për ndryshim – Mbi një mijë qytetarë votojnë në shkollën “Faik Konica”

Prishtinë | 09 Nën 2025 | 15:16 | Nga Diellza Gashi

Nga 5 mijë e 641 votues sa janë në Listën e Votuesve në Qendrën e Numërimit në Shkollën Fillore “Faik Konica”, deri më tani kanë votuar 1 mijë e 338 qytetarë, raporton Ekonomia Online.

Në këtë raund të dytë të zgjedhjeve lokale, qytetarët janë shprehur se votimi është më se e nevojshme në mënyrë që vendoset për të mirën e kryeqytetit për katër vitet e ardhshme.

Me këtë rast qytetarja Fetnete Uka-Elezi u shpreh se pret që të fitojë më i miri dhe më i duhuri për kryeqytetin.

 “Sapo votova, uroj që të fitojë më i miri dhe më i duhuri për kryeqytetin. Duhet të dalim patjetër, është e nevojshme. Janë zgjedhje të lira dhe të mira sepse ky vend e meriton ta udhëheqë një kryetar shumë i mirë. Presim kështu siç ka vepruar deri më tani, me qenë edhe më mirë se çka ka bërë”, tha ajo për Ekonomia Online.

Shqipe Muqolli, një tjetër votuese, tha se ka votuar me shpresë të vogël për ndryshim.

“Kam votuar, duke parë punën e Kuvendit dhe zvarritjen e zgjedhjeve pres shumë pak. Unë si qytetare e kreva obligimin tim, tashmë mbetet tek ta tani. E di që asambleja komunale ndryshon prej parlamentit, por shpresoj ju të rinjtë shpresoni diçka më mirë sepse ne e përfunduam tonën.”

Ndërkaq, qytetari Fetah Rama theksoi se duhet të dalë secili në votime që të shihet kush e meriton, duke shtuar se qytetarët tashmë e dinë ku janë bërë gabimet.

“Po, votova. Pres njëjtë si përpara, asgjë më shumë. Duhet me dalë secili, kush e meriton le të dalë. Jemi të zhgënjyer sepse mori një kafshatë të madhe buke dhe i mbeti në fyt, dhe tani qytetarët besoj do ta ndëshkojnë dhe e sheh edhe ai vet se ku ka gabuar”, deklaroi Rama.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, Përparim Rama ka marrë 165 vota ose 34.59%, ndërsa Hajrulla Çeku 140 vota ose 29.35%. Pas tyre renditet kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, me 18 vota ose 29.14%, ndërsa Bekë Berisha i AAK-së ka marrë po ashtu 18 vota ose 3.77%. Kandidatja e PSD-së, Besa Shahini, ka siguruar 11 vota ose 2.31%, dhe Agim Prishtina nga nisma “Prishtina në dorën tënde” ka marrë 3 vota ose 0.63%.

Procesi i votimit po vazhdon në qetësi dhe sipas rregullave.

Të ngjashme