Kurti takohet me Plenkoviqin: Thellim të bashkëpunimit Kosovë-Kroaci në ekonomi dhe siguri

Prishtinë | 22 Sht 2026 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe për thellimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes dy vendeve.

Kurti ka bërë të ditur se takimin me Plenkoviqin e ka zhvilluar në kuadër të qëndrimit në New York, ndërsa Kroacinë e ka cilësuar si shtet partner dhe popull mik të Kosovës.

“Sot ditën e nisëm me takimin me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, shtetit partner të Republikës dhe popullit mik të Kosovës. Krahas sigurisë dhe mbrojtjes, fusha në të cilat veçse kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm, synojmë thellimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare”, ka shkruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe të dhënat për rritjen ekonomike të Kosovës, duke thënë se ekonomia ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Gjatë këtij viti, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë dhe 4.1% në tremujorin e dytë. Përveçse rritje të qëndrueshme të ekonomisë, që këtë vit pritet të tejkalojë në 12 miliardë euro nga 7 sish sa ishte në vitin e parë të qeverisjes sonë, kemi forcuar sundimin e ligjit sikurse kemi shënuar përparim demokratik”, ka deklaruar Kurti.

Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për luftërat në ish-Jugosllavi dhe aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Si dy vende që kanë luftuar për çlirim e pavarësi nga i njëjti regjim, si ai i Millosheviqit, dihet mirëfilli se kush ka kryer krime në katër luftërat në ish-Jugosllavi. Lufta e drejtë e popullit të Kosovës ka qenë e pastër dhe çlirimtare karshi regjimit gjenocidal të Serbisë. Prandaj, theksova se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, përveçse i pasaktë, është i padrejtë dhe i rëndë”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka ngritur edhe çështjen e arkivave të Serbisë dhe personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Krahas mohimit e fshehjes krimeve të kryera në Kosovë, Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura dhe klasifikuara arkivat e saj, hapja e të cilave është thelbësore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për të vërtetën dhe për drejtësinë”, ka thënë ai.

Kurti ka folur edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke e akuzuar Serbinë për, siç ka thënë, “spastrimin etnik administrativ” ndaj komunitetit shqiptar.

“Në anën tjetër, fqinji verior, në mënyrë sistematike, vazhdon spastrimin etnik administrativ ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës nëpërmjet pasivizimit të adresave dhe përjashtimit nga institucionet”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka vlerësuar bashkëpunimin ushtarak me Kroacinë dhe mbështetjen e saj për integrimin euroatlantik të Kosovës.

“Me Kroacinë kemi rritur bashkëpunimin ushtarak edhe në fushën e mbrojtjes, për çka shpreha vlerësimin tim në takim. Duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut, falënderova Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë në rajon”, ka shtuar Kurti.

Të ngjashme