Visar Azemi: LDK ka fituar me ndershmëri, të tjerët s’e pranojnë të vërtetën tonë

Prishtinë | 10 Nën 2025 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, duke theksuar se LDK ka shënuar fitore të qartë dhe rritje të qëndrueshme në nivel vendi, pavarësisht përpjekjeve për ta zvogëluar suksesin e saj.

“Çdo herë kur fiton LDK, dikush përpiqet ta zvogëlojë suksesin. Në fillim të këtij viti, kur shtuam 70 mijë vota në zgjedhjet nacionale, disave nuk u mjaftoi kjo rritje. Na thanë s’ka rëndësi rritja, jeni partia e tretë. Tash jemi në vendin e parë. Fituam në 7 komuna, më shumë se secila parti, sepse qeverisim sërish me kryeqytetin. Por përsëri nuk binden dhe nuk e pranojnë fitoren tonë,” ka shkruar Azemi.

Ai shtoi se LDK ka fituar falë punës, ndershmërisë dhe një fushate të pastër pa përçarje, duke vlerësuar edhe mbështetjen e qytetarëve që e kanë renditur partinë e tij të parën në vend.

“Ne falenderojmë mbështetësit tanë që janë rreshtuar kah e vërteta dhe mundësuan rritjen tonë edhe në shkurt por edhe tash në këto zgjedhje. LDK po rritet. Kemi fituar me punë e ndershmëri në 7 komuna… Kështu të bashkuar, të ndershëm e me përkushtim, do të triumfojmë edhe në garat tjera në këtë mjedis aspak të barabartë,” tha tutje Azemi.

Të ngjashme