Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda derisa ka shpalosur parregullsitë që ndodhën me fletëvotimet në Mitrovicë, e për çka ka bërë thirrje që ky qytet të shkojë në rivotim, raporton Ekomia Online.
Ai në konferencën për media ka thënë se bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër bie ndesh me ligjin dhe me rregullat e KQZ-së.
“Jam këtu për të shprehur shqetësimet lidhur me dyshimet për procesin zgjedhor në Mitrovicë. Procesi është shënuar me presion të madh, me ndërhyrje në proces dhe institucionet shtetërore kanë ndërhyrë. Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë kanë vërejtur parregullsi të rënda që janë gjetur në klasa të tjera, madje edhe në qendra të tjera të votimit. Pra, ka pasur bartje të fletëvotimeve nga një klasë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën. Menjëherë pas vërejtjes, janë lajmëruar organet kompetente. Si pasojë, procesi i votimit është ndërprerë. Bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër bie ndesh me ligjin dhe me rregullat e KQZ-së. Kodi që shërben në fletëvotime është për vendvotime dhe si mekanizëm i vërtetimit. Ky kod është një element themelor i integritetit zgjedhor. Pra, çështja nuk është vetëm një çështje teknike, por një çështje thelbësore që ndikon në sigurinë e votës. Rastet konkrete: Në shkollën “Abdullah Shabani”, janë gjetur tre fletëvotime që i takonin klasave të tjera. Në shkollën “Ismail Qemali”, është gjetur një fletëvotim që i përkiste qendrës “Universiteti Isa Boletini.” Në një klasë të shkollës “Abdullah Shabani”, është gjetur fletëvotimi që i takon qendrës së votimit të shkollës “Migjeni”. Në shkollën “Migjeni”, janë gjetur gjithashtu fletëvotime të bartura nga një klasë në tjetrën”, tha Gruda.
Ai ka theksuar dhe si fakt atë se Mitrovica ishte komuna e vetme ku pati më së shumti votimem e potencojnë se ky dështim i KQZ-së është më serioz si në rezultate, ashtu edhe në proces.
“Mitrovica është e vetmja komunë ku qytetarët dalin më së shumti në votime. Këtë herë, dështimi i KQZ-së është më serioz si në rezultate, ashtu edhe në proces. Këto janë shkelje të qarta të ligjit dhe ngrejnë dyshime të bazuara për lëndim të procesit zgjedhor dhe për aktivizim të “trenit bullgar”. Për ta vënë në funksion mjafton një fletëvotim, por janë gjetur disa fletëvotime”. Tha Gruda.
Ndonëse nga KQZ u tha se ka qenë një gabim teknik, ai tha se kjo më së paku ka rëndësi dhe se askush nuk mund të thirret mbi këtë.