Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami në një intervistë për Ekonomia Online ka insistuar se në parregullsitë që ndodhën me fletëvotimet në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, janë përfshirë jo vetëm grupe kriminale e individë por edhe shtetit.
Ai ka theksuar se beteja për Mitrovicën nuk është as për PDK-në e as për Arian Tahirin por për demokracinë dhe mbi të gjitha për të mbrojtur sipas tij një precedentë të rrezikshëm të cilin kryeministri në detyrë Albin Kurti sic thekson ai po dëshiron ta etablojë.
“Fakt është që janë gjetur në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë tregojnë që nuk bëhet fjalë për gabime teknike siç ka pretenduar KQZ-ja dhe kompania por bëhet fjalë për inxhiering shtetëror për një manipulim të votave dhe për dëmtim të procesit zgjedhor. Edhe sikur të ishte gabim teknik ky gabim teknik është i mjaftueshëm për të cilësuar këtë proces zgjedhor si jo legjitim jo kredibil meqë i gjithë procesi i rinumërimit dhe verifikimit të votave ka krijuar një mosbesim të thellë tek qytetarët në Mitrovicë dhe tek qytetarët e Kosovës”, ka thënë Behrami.
Behrami ka thënë se çështjen e fletëvotimeve në Mitrovicë të Jugut duhet ta marrë në dorë Prokruoria Speciale.
“Beteja për Mitrovicën nuk është betejë për PDK-në, nuk është betejë për Arian Tahirin është betejë për demokracinë për të mbrojtur vlerat të cilat i kemi si shtet si shoqëri tashmë e disa dekada, mbi të gjitha është me mbrojtur një precedentë të rrezikshëm të cilën zotëri Kurti dëshiron ta etablojë që edhe në zgjedhjet nacionale të ketë një fabrikim artificial të votave dhe këtë duhet ta ndalojmë dhe vendi për ta ndaluar është Mitrovica vendi është qendra e rinumërimit e cila nuk është qendër e numërimit por është qendër e krimit, ku duhet të zbarkojë Prokuroria Speciale për të shikuar të gjitha detajet se si kanë arritur të hyjnë ato fletë nëpër kuti”, shtoi ai.
Ai shtoi se mbi 90 për qind e fletëve me ndryshime serike i takojnë kandidatit të VV-së, Faton Peci, duke pretenduar se ka pasur një “manipulim të organizuar” për të ndikuar në rezultatin zgjedhor në Mitrovicë.
“E dini që një përqindje shumë e madhe mbi 90 për qind e fletëve me ndryshim të numrit serik i takojnë Faton Pecit kjo është një dëshmi e mjaftueshme për të treguar që aty nga VV-ja ka punuar me fletë të votimeve ndërsa për të krijuar një manipulim optik dhe një mashtrim optik ata sigurisht që kanë hedhur në kutitë e votimit edhe emrin e Arian Tahirit, për të pretenduar që ky është gabim teknik. Ky arsyetimi i gabimit teknik është një arsyetim që është parashkruar më herët, shpejtësia që ka operuar KQZ-ja dhe qeveria dhe një pjesë e prokurorisë për të thënë se kjo është një gabim teknik tregon që ata kanë pasur një plan a dhe B dhe ne të gjithë duhet ti mbajmë sytë në Mitrovicë sepse nuk është betejë për pushtet, Bedri Hamza dhe Arian Tahiri e kanë uruar kundërshtarin politik kjo tregon që ne kemi qenë të gatshëm për transferim të pushteti dhe kemi qenë të gatshëm edhe t’i ndihmojmë zotëri Peci në transformimin e Mitrovicës, por kur është bërë rinumërimi dhe verifikimi i votave është gjetur që aty ka një shenjtërim shtetëror për të manipuluar votën e qytetarëve”, ka theksuar ai.
Ai ka folur edhe se si shkoi e gjithë rrjedha nga momenti që u ngjallën dyshimet për parregullsi.
“PDK që në fillim ka lajmëru policinë dhe prokurorinë dhe kemi insistu që të ndalet numërimi dhe të ketë një hetim shumë të detajshëm para se të vazhdoj rinumërimi mirëpo prokuroria ka vendos që të vazhdoj por që brenda të ketë policë hetues që të shikojnë dhe do t’i evidentojnë secilën shkelje që ka mujt mu bë aty. Ekziston një hetim që është duke u bërë në atë qendër dhe ne i presim rezultatet e këtij hetimi dhe të kërkesës tonë që e kemi bërë në PZAP”, tha ai.
Ai ka përmendur disa nga arsyet të cilat janë indaikatorë që ka pasë manipulim të votave.
“Po shkelja e policisë në qendrën e rinumërimit me të drejtë unë mendoj që e gjitha situata e krijuar në Mitrovicë dhe të gjitha faktet që kanë dal tashmë e kanë lëndu besueshmërinë e qytetarëve për një proces fer dhe mendoj se vendi duhet me shku në rivotim me vëzhgues më shumë me një vëmendje më të madhe të ndërkombëtarëve në Mitrovicë dhe siç thash për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat votën e qytetarëve sepse në Mitrovicë në raundin e parë ka pasur habi ndërsa në raundin e dytë ka pasur traumë se si ka humb Arian Tahiri sepse propabiliteti ka qenë që ai me fitu. Ka shumë fakte prej Exit Poll-ve, kompani e afërt me Albin Kurtin të cilën e kanë nxjerr Arian Tahirin të parin, prej daljes e cila ka qenë jonormale në balotazh sepse për dallim nga komunat tjera, në Mitrovicë ka pasë dalje të madhe të qytetarëve në votim, prej faktit që Arian Tahiri ka fitu më shumë vota sesa krejt koalicionet bashkë. Të gjitha këto janë indikatorë që ka pasur manipulim të votave por këto janë indikatorë politikë unë po flas për fakte dhe këto fakte janë të prekshme dhe ato gjenden në qendrën e numërimit në Mitrovicë”, shtoi ai.
Ai thekson se doza e mosbesimit është rritë edhe ndaj shtetit.
“Në Mitrovicë ka shumë mosbesim ndaj gjithë procesit sepse shenjat e para janë aty që nuk kanë prek vetëm grupet kriminale dhe individët por edhe dora e shtetit. Tash kjo doza e mosbesimit është rritë edhe ndaj shtetit, prokurorisë dhe gjyqësorit dhe një hetim i pavarur dhe i shpejt do të rikuperonte të gjithë këtë mosbesim, në mënyrë që në zgjedhjet nacionale të mos shkoj me mosbesim por me mirëbesim dhe depolarizim të spektrit politikë”, theksoi deputeti.
Deptueti Behrami është mëse i bindur se ka pasë keqpërdorime dhe se prapa gjithë kësaj është Vetëvëndosje.
“Këto fletat që vërtetojnë mashtrimin nuk janë propocionalisht me rezultatin zgjedhor por rezultati zgjedhor është 53 47 ndërsa këto fletët janë 90% 10%. Pra nuk ka propocionalitet po të ishte gabim teknik do të kishte propocionalitet dhe kjo është dëshmi e gjallë që mbrapa saj është Lëvizja Vetëvendosje dhe si kanë arritë me bë këtë krim në historinë e Kosovës, kjo nuk është dicka që mund ta bëjmë ne por i takon drejtësisë”, tha ndër tjerash Behrami.
