Radoniqi: Për të verifikuar fletëvotimet e dyshimta në Mitrovicë, duhet hapur kutitë

Prishtinë | 12 Nën 2025 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njoftoi se një raport i kompanisë “Cetis” ka identifikuar disa fletëvotime me kode të gabuara, kryesisht në Mitrovicë dhe Gjakovë, dhe se raporti do të përdoret për hetimet e Prokurorisë dhe për përgjigjet ndaj PZAP-së, raporton Ekonomia Online.

Radoniqi tha se për të konfirmuar numrin e saktë të fletëvotimeve të dyshimta duhet të hapen kutitë e votimit nga një komision i posaçëm.

“Para një ore kemi pranuar edhe një raport nga kompania Cetis, i cili është raport i detajuar për të gjitha komunat për fletëvotimet që i kanë printuar, dhe në atë raport saktësohen të gjitha dënget e fletëvotimeve të printuara, kur rezulton që në këto dënge janë diku dy votat e fundit që kanë pasur numrat e vendvotimeve të ndryshme apo të një qendre tjetër. Është e rëndësishme që këtë raport komisioni ta trajtojë në përputhje me kutitë që gjenden të mbyllura për Mitrovicë dhe Gjakovë. Ata kanë dhënë edhe numrin e saktë që ka ndodhur gabimi, por na nevojitet ta vlerësojmë nga kutitë e votimeve. E njëjta do të shërbejë në përgjigjen e PZAP-së. Për komunat tjera do merren mostra për të parë nëse ka qenë një trend i njëjtë. Është paraqitur rast për Gjakovë nga këshillat e vendvotimeve ditën e votimit, ndërsa për Mitrovicë në mbrëmje dhe ka vazhduar edhe ditën e nesërme. Për komunat tjera duhet të shikojmë mostrat. Raporti nuk është për PZAP, por për ne, së dyti është për prokurorinë, për shkak se kjo çështje në mbrëmjen e së mërkurës është hapur në prokurori. Raporti duhet të jetë i detajuar për ne, për prokurorinë, por edhe PZAP. Sa për numrin e këtyre, nuk mundemi të konstatonim numrin pa hapur kutitë e votimit”, tha Radoniqi.

PZAP-ja ka kërkuar përgjigje për fletëvotimet specifike, dhe e vetmja mënyrë për me jep përgjigje është me u hap kutitë. Kutitë nëse hapen, hapen përmes një komisioni, pra nuk mund të japim një përgjigje specifike pa u hapur kutitë tash. KQZ-ja e ka profesionalizmin për me e vlerësu fletëvotimet, origjinalitetin e tyre dhe për të dhënë një raport rreth origjinalitetit të fletëvotimeve”, u shpreh Radoniqi.

Të ngjashme