“27.3 milionë shpenzime për 9 muaj”, reagon Qeveria: Janë shpenzime të të gjitha institucioneve publike

Prishtinë | 16 Nën 2025 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka reaguar ndaj kronikës “Telefonat-udhëtimet-nafta, “Kurti 2” për 9 muaj harxhoi 27.3 milionë euro”.

Kryeziu teksa e quan deziformatë, thotë se  27.3 milionë shpenzime për tre muaj, nuk i takojnë vetëm Qeverisë në detyrë Kurti, por janë edhe të institucioneve të tjera publike.

“Dezinformatë! Kronika e mbrëmshme e Klan Kosovës qëllimshëm ia faturon të gjitha shpenzimet “Qeverisë Kurti”, përkundër faktit se aty bëhet fjalë për shpenzimet e të gjitha institucioneve publike, ato lokale dhe qendrore: pra komunave, agjencive, qeverisë, kuvendit, presidencës etj. E them qëllimshëm sepse raporti, të cilit i referohet kronika, e qartëson se aty paraqiten shpenzimet e institucioneve qendrore dhe lokale të vendit”, shkruan Kryeziu.

Ai ka potencuar se këto nuk janë shpenzime luksi.

“Për më tepër, këto nuk janë shpenzime luksi, siç synohet të paraqiten, por janë shpenzime të nevojshme për operimin e institucioneve kyçe të vendit, sikurse policia dhe mbrojtja. Gjithashtu, te kategoria e karburantit dhe lëndëve djegëse, përfshihen edhe lëndët djegëse për ngrohjen e shkollave. Tendenca për t’i ngjyrosur këto si shpenzim luksi, por edhe për t’ia faturuar gjithë shumën vetëm qeverisë qendrore, përbën dezinformatë të qëllimshme dhe nuk i shërben informimit të saktë e të drejtë të qytetarëve. Përkundrazi, me këtë mënyrë raportimi synohet shtrembërimi i fakteve dhe krijimi i përshtypjeve të gabuara”, shkruan ai.

Të ngjashme