Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër thirrjen e seancës së orës 11:00 nga Vetëvendosje, duke e quajtur atë “jo legjitime, jolegjitime dhe në kundërshtim me rendin kushtetues”.
Sipas tij, përfshirja e projekteve buxhetore, kredive dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në një seancë të tillë është shembull i papërgjegjësisë institucionale.
“Konsumimit të çdo forme manipulimi të opinionit publik që nga muaji prill, për të fshehur mungesën e numrave për krijimin e institucioneve, sot po provohet edhe “treni i fundit”: një seancë jolegjitime, jologjike dhe plotësisht në kundërshtim me rendin kushtetues e me logjikën parlamentare, vetëm që Albin Kurti e VV-ja të zhvishet nga përgjegjësia e dështimit. Në agjendën e seancës së orës 11:00 përfshihen propozimi i buxhetit të Republikës së Kosovës, marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz dhe konsultim të mirëfilltë e jo improvizime të ngutshme që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate. Pikërisht për këtë arsye, LDK nuk merr pjesë në një proces kaq të papërgjegjshëm. Lidhja Demokratike e Kosovës refuzon mënyrën e papërgjegjshme me të cilën Vetëvendosja po tenton sërish t’i përdorë institucionet e Republikës si instrument të lojërave të saj politike”, deklaroi Zemaj.
Zemaj tha se po të kishin qëllim të bënin zgjidhje, atëherë do të merrnin masa më herët.
“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa me zvarritjen 15-ditore të mandatarit pa numra – një proces i humbur që në fillim dhe i përdorur thjesht për propagandë. Po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë. Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe krijimi i skenave të radhës. LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, të ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e qytetarëve tanë”, ka thënë Zemaj.
