Gjykata Kushtetuese rrëzon Aktvendimin e Supremes për rastin e paraburgimit të Engjëllush Ibrahimit

Prishtinë | 19 Nën 2025 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin lidhur me kërkesën e parashtruesit Engjëllush Ibrahimi, i cili kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të 28 majit 2025. Me vendim unanim, Gjykata e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi se vendimi i Supremes nuk ishte në përputhje me nenet 29 dhe 32 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe me nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për rrjedhojë, Aktvendimi i Supremes u shpall i pavlefshëm dhe u kthye për rishqyrtim.

Sipas Aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese theksoi se edhe pas skadimit të masës së paraburgimit, një person ka “kërkesë legjitime për përcaktim të ligjshmërisë së paraburgimit”, përfshirë mundësinë e kompensimit nëse konstatohet mbajtje e paligjshme.

“Rishikimi efektiv i ligjshmërisë së paraburgimit duhet të aplikohet edhe pas lirimit të personit, pasi ai mund të ketë interes të vazhdueshëm për vlerësimin e ligjshmërisë së masës, përfshirë të drejtën për kompensim”, thuhet në komunikatë.

Parashtruesi Ibrahimi kishte pretenduar se Gjykata Supreme gaboi kur e hodhi poshtë kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë si “jolëndore”, me arsyetimin se masa e paraburgimit kishte skaduar para se kërkesa të shqyrtohej. Ligjërisht, sipas Kushtetueses, ai kishte të drejtë të kërkonte shqyrtimin gjyqësor të vendimeve të Gjykatës Themelore dhe të Apelit, pavarësisht skadimit të masës.

“Parashtruesi ngriti pretendime të qarta mbi ligjshmërinë e masës së paraburgimit dhe kishte pritshmëri legjitime që këto pretendime të adresoheshin. Mosshqyrtimi i tyre nga Gjykata Supreme përbën cenim të të drejtave të garantuara me nenin 29 dhe 32 të Kushtetutës”, thuhet më tej në komunikatë.

Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të të drejtës për liri dhe siguri, si dhe të të drejtës për mjete juridike efektive, duke rikthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Supreme.

Të ngjashme