Besim Kelmendi: Më ka ardhë keq për OVL-UÇK-në, jam në dispozicion t’i takoj dhe t’ua sqaroj situatën

Prishtinë | 19 Nën 2025 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit besim Kelmendi është shprehur i gatshëm që të takohet me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës për të sqaruar gjithçka që është shkruar rreth pretendimeve se ai ishte në Reçak kur ndodhi Masakra.

“Më ka ardh shumë keq, si duket dikush nga ajo organizatë, shumë e vlerësuar nga ana ime, por si duket dikush e ka marrë si të mirëqeni shikimin  që  e ka bërë Vehbi Kajtazi. Unë do të kontaktojë organizatën dhe do t’i jap sqarime që gjitha këto që shkruan ai nuk janë të vërteta e vlerësoj shumë këtë organizatë, ajo është pjesë e familjes sime. Jam në dispozicion të kësaj organizate kur të duan me u taku dhe me sqaru”, tha ai.

OVL-UÇK gjatë ditës ka kërkuar edhe që të ndërmerren masa ndaj tij.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh shqetësimin më të thellë pas konfirmimit se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me Masakrën e Reçakut, njërën nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës. Me këtë ftesë u vërtetua se z. Kelmendi, në kohën e masakrës, ka qenë asistent i gjyqtares famëkeqe Danica Marinkovic, e cila “hetonte” ngjarjen nga perspektiva e regjimit serb, duke tentuar ta relativizonte atë, siç duket, duke e pasur në krah z. Kelmendin. Është e tmerrshme që Kryeprokurori i Kosovës, sipas dëshmive, më 16 janar 1999 ka qenë në Reçak në anën e palës serbe, në kohë kur aty kryheshin krime ndaj civilëve shqiptarë. Kjo situatë është jashtëzakonisht serioze. OVL UÇK vlerëson se organet përgjegjëse duhet ta shkarkojnë menjëherë nga detyra dhe ta përjashtojnë nga sistemi i drejtësisë, sidomos pas kësaj ftese të Prokurorisë Speciale. Pavarësisht se z. Kelmendi është ftuar si dëshmitar, perspektiva e tij dëshmuese buron nga ana e regjimit të Millosheviqit, dhe çfarëdo që të deklarojë sot, Kosova nuk mund të ketë Kryeprokuror që ka punuar për Danicën në kohën kur ajo përpiqej të shkatërronte të vërtetën e Reçakut, edhe pas jehonës që i dha Ambasadori Ëalker. Kjo ftesë e Prokurorisë Speciale është dëshmia kryesore mbi të cilën Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet ta përjashtojë menjëherë nga sistemi bashkëpunëtorin e Danicës. Si qytetar i thjeshtë, e jo si Kryeprokuror, z. Kelmendi e ka shansin që para gjykatës të dëshmojë drejt për këtë masakër dhe sadopak të lehtësojë turpin që e mbulon si shërbyes i një regjimi që masakroi popullin e Kosovës”, thuhej në reagim.

Të ngjashme