Dimal Basha: Kuvendi nuk pati kuorum, shpreh keqardhjen që nuk u arrit një pjesëmarrje më e gjerë

Prishtinë | 19 Nën 2025 | 20:45 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha tha se seanca kishte për qëllim trajtimin e temave kyçe për buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

“Në rend dite kishte për trajtim çështje me rëndësi imanente për aspektin financiar të shtetit dhe për mirëqenien e qytetarëve tanë,” shkroi ai.

Sipas tij, pas pikës për themelimin e komisioneve parlamentare, në votim ishin edhe projektligjet për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare të sponsorizuara nga Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, të cilat kapin rreth 1 miliard euro investime dhe grante për Kosovën. Po ashtu, në rend dite ishte edhe Buxheti i vitit 2026, që arrin afër 4 miliardë euro, dhe situata buxhetore e komunave Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, bashkë me zgjidhjen financiare për RTK-në dhe pagat e punëtorëve.

“Përsërita gatishmërinë time të plotë që në Kryesi bashkërisht të themelojmë komisionet e përhershme parlamentare dhe të krijohen kushte institucionale për miratimin e këtyre çështjeve serioze për vendin dhe qytetarët tanë,” u shpreh Basha.

Ai theksoi se, përveç Grupit Parlamentar të LVV-së, atij Multietnik dhe nënkryetarit Rashiq, pjesëmarrja nga grupet e tjera parlamentare nuk ishte e plotë, gjë që ndikoi që Kuvendi të mos e ketë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.

“Përveç Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, atij Multietnik dhe nënkryetarit Rashiq, fatkeqësisht pjesëmarrja në seancë nuk ishte e plotë nga grupet e tjera parlamentare. Kjo bëri që Kuvendi të mos e ketë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, në një ditë me rëndësi për vendin tonë. Shpreh keqardhjen që nuk u arrit një pjesëmarrje më e gjerë, e cila do t’i shërbente procesit dhe përgjegjësisë institucionale”, ka shkruar tutje.

Të ngjashme