Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në lagjen “Arbëri” të Prishtinës, ku një punëtor ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra gjatë kohës sa ishte duke punuar. Viktima e kësaj tragjedie është Bashkim Nitaj, nga fshati Drenoc i Deçanit.
Lajmin e trishtë për vdekjen e tij e ka bërë të ditur edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e bashkëvendësit, bashkëpunëtorit dhe veteranit të UÇK-së.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të bashkëvendësit tonë, bashkëpunëtorit dhe veteranit të UÇK-së, Bashkim Nitaj, nga fshati Drenoc.
Bashkimi humbi jetën në vendin e tij të punës, në rrethana të rënda të cilat na kanë prekur të gjithëve. Ai ishte njeri i respektuar, punëtor i palodhshëm dhe dëshmitar i gjallë i sakrificës për lirinë që gëzojmë sot.
Në emër të Komunës së Deçanit dhe në emrin tim personal, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nitaj, miqve, kolegëve dhe gjithë atyre që e kanë njohur.
Qoftë i paharruar kujtimi për të.”