SBASHK merr pjesë në Kongresin e AOb në Holandë, vizitë tre-ditore me takime, diskutime dhe shkëmbim përvojash

Prishtinë | 22 Nën 2025 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri, kanë qëndruar për një vizitë zyrtare në Holandë, ku morën pjesë në Kongresin e Sindikatës së Arsimit “AOb”, të zhvilluar në Utrecht.

Në komunikatën e SBASHK-ut thuhet se kongresi, me moton “Arsimi për të gjithë!”, ka mbledhur sindikata nga mbarë Evropa, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për dialog dhe bashkëpunim në sfidat e arsimit publik.

“Ky Kongres ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të dëgjuar dhe shkëmbyer përvoja me kolegë nga vende të ndryshme,” ka deklaruar nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala.

“Diskutuam për sfidat e përbashkëta, për mirëqenien e mësimdhënësve dhe për politikat që e avancojnë arsimin publik”, thuhet në komunikatë.

Gjatë sesioneve tematike, delegacioni nga Kosova ka marrë pjesë në panele, punëtori dhe takime me organizata partnere, ku janë trajtuar çështje si financimi i arsimit, sfidat moderne në shkolla dhe roli i sindikatave në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të arsimit.

Të enjten, përfaqësuesit e SBASHK-ut u pritën nga kryetarja e AOb, Coba van der Veer, dhe sekretari i përgjithshëm Willem Naus, në një takim pune dhe darkë zyrtare.

“Marrëdhënia e SBASHK-ut me AOb është shembull i një bashkëpunimi të sinqertë dhe afatgjatë,” ka theksuar sekretari i përgjithshëm i SBASHK-ut, Ymer Ymeri.

“Diskutuam për sfidat që i kemi të përbashkëta dhe për rrugët e reja të forcimit të këtij bashkëpunimi ndërkombëtar”, thuhet më tej.

Të premten, delegacioni vizitoi shkollën “Child Center LEF”, ku u njohën nga afër me praktikat pedagogjike, kushtet e punës dhe mënyrën e bashkëpunimit të institucionit me prindër e komunitet. SBASHK ka vlerësuar qasjen profesionale dhe standardet e larta të mbështetjes për stafin arsimor.

Po të njëjtën ditë, përfaqësuesit morën pjesë në një seminar të dedikuar sfidave të rekrutimit të mësimdhënësve të rinj – një temë që është duke prekur shumë sisteme arsimore evropiane.

“Kosova nuk bën përjashtim nga sfidat me kuadrot e reja. Përvoja evropiane tregon se kushtet e punës, mbështetja profesionale dhe politikat e qëndrueshme janë kyçe për tërheqjen e mësimdhënësve të rinj.”

Delegacioni mori pjesë edhe në ceremoninë lamtumirëse për Sekretaren Ndërkombëtare të AOb, Trudy Kerperien, ku u shpreh mirënjohje për bashkëpunimin e gjatë me SBASHK-un dhe mbështetjen e saj në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Të ngjashme