Musliu për Vuçiqin: Deklaratat e vjetra për Sarajevën e tradhtojnë, është i njëjti që me Radoiçiqin dirigjojnë struktura ilegale në Kosovë

Prishtinë | 22 Nën 2025 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili së fundmi ka mohuar të ketë marrë pjesë në të ashtuquajturin “Safari Snajper” gjatë luftës në Bosnje.

Musliu e ka quajtur këtë mohim kontradiktor me deklarimet e mëhershme publike të vetë Vuçiqit.

Musliu ka përmendur një deklaratë të vitit 1994, në të cilën Vuçiq kishte thënë:
“Kur filloi lufta në Bosnje, unë shkova në Sarajevë dhe u paraqita si vullnetar… Kam qenë për një kohë në varrezat hebreje.”

Sipas Musliut, vetë pranimi i Vuçiqit se ka qëndruar në pozicionet pranë varrezave hebreje – një zonë që sipas raporteve ndërkombëtare ishte përdorur për qëllime luftarake, përfshirë sulme ndaj civilëve – ngre pikëpyetje serioze për rolin e tij të atëhershëm.

“Vetë fakti që ka pranuar publikisht se ka qenë në pozicionet e varrezave te hebrenjëve në Sarajevë, pikërisht aty ku sipas dëshmive dhe raportimeve ndërkombëtare u qëllua mbi civilë, e konfirmon prezencën e tij në ‘Safari Snajper’,” ka shkruar Musliu.

Ai ka shtuar një sërë pyetjesh drejtuar presidentit serb:
“Çfarë ka bërë Vuçiqi saktë në pozicionin e varrezave hebreje? Në çfarë operacione ka marrë pjesë?”

Musliu më tej ka lidhur këtë çështje me zhvillimet aktuale në Kosovë, duke akuzuar Vuçiqin se së bashku me Milan Radoiçiqin “dirigjon struktura ilegale serbe në Kosovë”.

Të ngjashme