Sejdiu ia kthen Hotit: Autobusët u bllokuan dy vjet s’nënshkruaje, s’ka më mirë se me u sqaru në gjykatë

Prishtinë | 23 Nën 2025 | 23:40 | Nga Ekonomia Online

Ish-nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu i ka reaguar ish-ministrit të Financave, Avdullah Hoti për çështjen e autobusëve.

Teksa nga nesër nuk do të ketë transport publik, pasi Komuna e Prishtinës ka deklaruar se Qeveria në deytrë ia ka bllokuar mjetet vetanake, është hapur debati për situatën në vitet 2015-2017.

Sejdiu i ka thënë Hotit se e kishte bllokuar, ndërsa Hoti e ka paralajmëruar me padi.

Dardan Sejiu u shpreh i hapur që kjo çështje të sqarohet edhe në gjykatë. 

Posti i plotë:

Përgjigjja ime për ish-ministrin Hoti

E lexova reagimin e ish-ministrit të Financave. Nuk përmenda emrin e tij në postimin tim të mëparshëm, sepse mendova se dikush që ka mbajtur atë pozitë do ta kuptonte ku është beteja sot. Mendoja se dikush me përvojë institucionale do ta shihte qartë se problemi i vitit 2025 nuk është as unë, as viti 2017, por qeveria aktuale që po përdor Prishtinën si peng politik dhe po tenton me e kontrabandu idenë e votimit të një buxheti pa mandat e pa legjitimitet.

Por ja që jo.

Zotëria jo vetëm që ka zgjedhur me gënjy për të kaluarën, por po e përdor këtë gënjeshtër për t’i shërbyer narrativës së pushtetit aktual. Në vend se ta thotë qartë se çfarë po ndodh sot me transportin publik, ai ka vendosur me u marrë me mua, me vitin 2017, me një fotografi, me një postim.

Në vitet 2015–2017, autobuset ishin të bllokuar për dy vjet rresht në ministrinë e tij, me arsyetime të njëpasnjëshme, me çdo lloj zvarritje të mundshme. Kjo nuk është opinion. Kjo është fakt i dokumentuar, i provuar, i njohur publikisht. Kishim mjete, kishim dokumente, kishim procedura të përfunduara. Ajo që s’kishim ishte vullneti i ministrit për me nënshkru.

Dhe u thye vetëm kur qytetarët protestuan.

Asokohe, LDK ishte në pushtet qendror. Ne ishim në Prishtinë. Logjika ishte e qartë. Dhe qyteti fitoi.

Sot, historia po përsëritet, por me pasoja shumë më të rënda.

Sot, një qeveri pa mandat po e përdor krizën e transportit publik për të krijuar panik dhe për të krijuar terren që buxheti i paligjshëm të paraqitet si “domosdoshmëri”. Kjo nuk është paaftësi. Kjo është strategji.

Ndërkohë, ish-ministri i asaj kohe ka zgjedhur të hyjë në betejë kundër meje, jo kundër atyre që realisht po e shkatërrojnë transportin publik sot. Dhe kjo, në vetvete, flet shumë.

Sa për padinë që përmendi: ju lutem, vazhdoni. Nuk ka askund më mirë se në gjykatë për me u sqaru edhe një herë publikisht bllokadën e asaj kohe. Nuk kam asnjë problem me këtë. Përkundrazi, është rast i artë që opinioni me i pa faktet e vërteta edhe një herë.

Unë sot po flas për Prishtinën e vitit 2025. Për qytetin që po mbetet pa transport publik.
Ai po flet për mua.
Ky është dallimi.

Koha ka tregu kush e ka qytetin prioritet, e kush thjesht vazhdon të jetë peng i së kaluarës së vet.

Të ngjashme