Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, të udhëhequr nga kryetari Bedri Hamza, ku është diskutuar organizimi i partisë për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit.
Në një postim në Facebook, Memli Krasniqi ka njoftuar se, me vendim të Kryesisë, është caktuar Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor të PDK-së. Ai ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për deputet në këto zgjedhje, duke theksuar se ky vendim i mundëson përkushtim të plotë në udhëheqjen e fushatës.
Krasniqi ka theksuar se PDK hyn në procesin zgjedhor e bashkuar dhe e përgatitur për fitore, ndërsa ka shprehur mbështetje të plotë për kryetarin dhe kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza.
“Sot, me vendim të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kam marrë përsipër përgjegjësinë për të udhëhequr fushatën zgjedhore të partisë, si Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor, në rrugën tonë drejt fitores më 28 dhjetor. Këto zgjedhje janë mundësi për t’i rikthyer vendit normalitetin, stabilitetin dhe zhvillimin. PDK hyn në këtë proces më e përgatitur, e bashkuar dhe shumë e gatshme për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton. Në këtë fushatë, do të jem plotësisht në shërbim të fushatës sonë, të ekipit, të strukturave dhe të fitores sonë të përbashkët. Prandaj, pas shtatë mandateve si deputet i Kuvendit të Kosovës, këtë herë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës tonë zgjedhore. Ky është një vendim i qëllimshëm, që më lejon t’i përkushtohem tërësisht organizimit dhe udhëheqjes së fushatës dhe mbështetjes së plotë për Kryetarin dhe kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamza. Ecim bashkë, me besim dhe vendosmëri, për një Kosovë ma të mirë për të gjithë”, ka shkruar ai.