Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Sopaj, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke kërkuar mbështetjen dhe votën e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.
Sopaj ka deklaruar se kandidatura e tij buron nga bindja se vendimmarrja duhet të ketë gjithmonë në qendër qytetarin dhe mirëqenien e tij, duke përfshirë studentët, punëtorët, bujqit, policët, ushtarët, mjekët, infermierët, pensionistët dhe ndërmarrësit. Ai ka theksuar se në këtë garë ka hyrë me përkushtim dhe përgjegjësi, me synimin për të qenë zëri i qytetarëve dhe për të përfaqësuar interesat e tyre me dinjitet në Kuvendin e Kosovës.
Në postimin e tij, Sopaj ka ftuar qytetarët që të bashkohen rreth vizionit dhe lidershipit të kandidatit për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, duke e cilësuar këtë si një rrugë drejt një Kosove më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të fortë.
Ai ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve duke theksuar se vota për të do të jetë një zë i fuqishëm në përfaqësim të interesave të qytetarëve dhe të Kosovës në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit.