Kurti mirëpret heqjen e masave të BE-së: Të padrejta që në ditën e parë, Kosova s’ishte shkaktare e eskalimit të situatës

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mirëpritur heqjen e masave që Bashkimi Evropian i kishte vendosur ndaj Kosovës, për çka në mbledhjen e Qeverisë në detyrë tha se këto masa ishin të padrejta që në ditën e parë dhe se institucionet e shtetit të Kosovës nuk ishin ato që e eskaluan situatën në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.

Mirëpo, Kurti nga salla e mbledhjeve në objektin e Qeverisë ka sulmuar opozitën, duke thënë se Kosova masat më të mëdha financiare i mori nga opozita sesa nga BE-ja, duke iu referuar seancës së Kuvendit në të cilën nuk u votuan disa buxhete, por as marrëveshjet ndërkombëtare.

“E mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për t’i hequr masat që i ishin vendosur Kosovës. Ishin të padrejta që në ditën e parë. Sepse, së pari, institucionet e Republikës së Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë dhe, së dyti, deeskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Kosovës. Ndërkohë, RKS-ja dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, prej të cilave dy me pasoja të rënda, ai në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi ynë Afrim Bunjaku, dhe tjetri në kanalin Ibër-Lepenc në Vragë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024, që synonte dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike. Për të dy këto sulme tashmë ka aktakuza të ngritura”, tha Kurti.

Kurti thotë se, nëse nuk do të ishte ndërhyrja aq e shpejtë e njësive speciale të Kosovës, mëngjesi i 24 shtatorit 2023 do të zbardhte një realitet krejtësisht tjetër.

“Për rastin e Banjskës, të gjitha provat dëshmojnë për një plan të përgatitur me përfshirjen dhe financimin e shtetit të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes strukturave paramilitare pas një konflikti që do të zgjerohej. Po të mos ishin vendimet në kohë dhe reagimi i shpejtë dhe profesional i njësive tona speciale të policisë, mëngjesi i 24 shtatorit do ta zbardhte një realitet krejtësisht tjetër në terren. Ndërkaq, për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, provat e grumbulluara dhe informacionet rreth të arrestuarve gjithashtu konfirmojnë përfshirjen e strukturave ilegale dhe vetë shtetit të Serbisë”, u shpreh Kurti.

Ai madje tha se “në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Republikën e Kosovës. Situata e qetë, lëvizja e lirë dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës janë pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik”.

Por, për të gjitha këto, Kurti pati një koment për opozitën, duke i fajësuar se masat më të mëdha Kosovës i erdhën nga ajo dhe jo nga BE-ja.

“Megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me Bashkimin Evropian. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleatë dhe kampionë të vlerave demokratike. Por më duhet të them edhe diçka. Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Në muajin e kaluar, përkundër insistimit, Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore me vlerë mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej, në mungesë të vullnetit dhe votës së opozitës. Andaj uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës”, deklaroi Kurti.

Të ngjashme