Ish-kryeministri, njëherit kandidat i LDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare e bën të qartë se demokracia, sundimi i ligjit, integriteti territorial dhe respektimi i të drejtave të njeriut nuk janë çështje deklerative, por standarde mbi të cilat do të ndërtohet angazhimi amerikan në rajon.
“Hyri në fuqi Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili e vendos Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, qartë në fokusin strategjik të Shteteve të Bashkuara. Ky ligj e bën të qartë se demokracia, sundimi i ligjit, integriteti territorial dhe respektimi i të drejtave të njeriut nuk janë çështje deklarative, por standarde mbi të cilat do të ndërtohet angazhimi amerikan në rajon, përfshirë edhe masa konkrete ndaj korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Ai riafirmon orientimin euroatlantik të Kosovës, mbështetjen për anëtarësim në NATO, zbatimin e plotë të marrëveshjes me Serbinë me synim njohjen reciproke, refuzimin e çdo skenari për ndarje territoriale dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik e demokratik në rajon”, ka shkruar Hoti.
Hoti më tej ka thënë se Kosovës i duhet një qeverisje serioze dhe pro-perëndimore.
“Në një kohë kur SHBA dhe BE po veprojnë me një qasje të përbashkët ndaj Ballkanit Perëndimor, Kosovës i duhet një qeverisje serioze, e besueshme dhe pro-perëndimore. Kjo është arsyeja pse kthimi i besimit në LDK është i domosdoshëm: një qeveri e udhëhequr nga LDK, siç e ka dëshmuar edhe më parë, do të jetë partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm i Shteteve të Bashkuara për zbatimin e kësaj politike dhe për forcimin e demokracisë në Kosovë. LDK 123✅ Avdullah Hoti 6✅”, ka shkruar ai.