Arrestimet për korrupsion, Islami: Institucionet e drejtësisë po dëshmojnë profesionalizëm dhe barazi para ligjit

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 13:47 | Nga Gzim Mujaj

Aksioni i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në koordinim me Policinë e Kosovës (PK) dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), i zhvilluar kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku u arrestuan disa persona dhe në mesin e tyre ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë F.I, po vlerësohet si veprim që tregon seriozitetin dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Lidhur me këtë aksion, profesori universitar i sigurisë, Avni Islami, në intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, thotë se bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional po japin rezultate konkrete.

 “Kur Prokuroria Speciale merr angazhime profesionale dhe merr me seriozitet punët e saj, sukseset nuk mungojnë me vetë faktin që kemi një koordinim mes prokurorisë, AKI-së dhe Policisë. Aty nuk mungon suksesi. Kjo tregon që institucionet e drejtësisë me një bashkëpunim edhe sinkronizim të punëve të tyre nuk mungon rezultati. Pastaj arrestimi i tillë tregon se institucionet e drejtësisë në Kosovë janë prejetare në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimorë dhe kësisoj do të thotë institucionet e drejtësisë e kryejnë punën me zell dhe me fisnikëri e profesionalizëm”, tha ai.

Islami shtoi se aksionet e tilla janë vazhdimësi e luftës kundër dukurive që rrezikojnë mirëqenien dhe sigurinë e vendit.

 “Prandaj arrestimet e tilla për korrupsion, marrje të ryshfetit e të tjera janë një vazhdimësi e punëve të institucioneve të drejtësisë ku krimi i organizuar, korrupsioni, spiunazhi dhe gjëra të cilat e rrezikojnë mirëqenien e popullatës së Kosovës ose edhe të sigurisë kombëtare të vendit tonë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, rasti dëshmon funksionimin e shtetit ligjor dhe barazinë para ligjit.

“Një lajm shumë i mirë sepse para ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë dhe para ligjit nuk ka imunitet që nga presidenti, kryeministri, ministrat dhe gjithë vartësit e tyre. Prandaj kjo tregon se ligji në Kosovë dhe Kushtetuta e Kosovës funksionon dhe se para ligjit të gjithë janë të barabartë”, tha ai.

Për aksionin shkroi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, i cili publikoi edhe inicialet dhe pozitat që ata ushtrojnë në institucionet publike.

“Bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pas një hetimi disamujore të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, të ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private. Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I. Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës. Ky grup dyshohet se, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike. Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar”, ka shkruar Sveçla të enjten.

Të lartë përmendurit e arrestuar sipas PSRK-së ngarkohen me veprat penale, korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti,  ushtrim të ndikimit, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se operacioni është zhvilluar nën udhëheqjen e saj, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi me masa të veçanta hetimore, ndërsa të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave.

Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme, pajisje elektronike dhe tri vetura. Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se shtatë personat e arrestuar janë ndaluar për 48 orë dhe se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Të ngjashme