Refuzohet ankesa e Koalicionit Vakat për certifikimin e kandidates Ena Krasniqi

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Koalicionit Vakat dhe ka vërtetuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me moscertifikimin e kandidates për deputete, Ena Krasniqi.

Koalicioni Vakat kishte kontestuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së, duke kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të detyrohej ta certifikonte kandidaten në listën garuese për Zgjedhjet Nacionale.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, pretendimi se një kandidat mund të kandidojë për përfaqësim të një komuniteti me vende të garantuara vetëm mbi bazën e origjinës etnike nga ana e nënës nuk është në përputhje me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe as me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.

Gjykata thekson se lejimi i kandidimit për vende të garantuara vetëm mbi bazën e prejardhjes familjare do të binte ndesh me frymën e Kushtetutës dhe me Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës, pasi do të rrezikonte keqpërdorimin e masave afirmative dhe do të cenonte përfaqësimin autentik të komuniteteve jo-shumicë.

Në vendim thuhet se një praktikë e tillë do të krijonte precedent të rrezikshëm, duke e shndërruar përkatësinë etnike në mjet të përkohshëm politik. Në rastin konkret, sipas Gjykatës, kandidatja Ena Krasniqi nuk ka paraqitur prova konkrete që dëshmojnë lidhje reale me komunitetin përkatës apo angazhim të vazhdueshëm shoqëror, kulturor, politik apo institucional në mbrojtje dhe avancim të interesave të tij.

Gjykata sqaron gjithashtu se moslejimi i certifikimit nuk e privon kandidaten nga e drejta për t’u zgjedhur në kuptimin e përgjithshëm kushtetues, pasi asaj nuk i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje, por vetëm kandidimi në kuadër të mekanizmit të veçantë kushtetues të rezervuar për komunitetet jo-shumicë. Sipas Gjykatës, ky dallim nuk përbën diskriminim, por është zbatim i drejtpërdrejtë i dispozitave kushtetuese për masa afirmative.

Të ngjashme