Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) u është drejtuar partive politike që synojnë përfaqësim në Legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar trajtim prioritar për RTK-në dhe zgjidhje të çështjeve të hapura ligjore e financiare.
SPERTK ka rikujtuar se Ligji i ri për RTK-në ende nuk është miratuar, ndërsa mbesin të pazgjidhura rregullimi i pronës dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm. Deri në miratimin e ligjit të ri, sipas sindikatës, duhet të vazhdojë financimi aktual prej 0.7% të buxhetit nacional.
Po ashtu, SPERTK ka kërkuar që pagesa e 13-të, e paralajmëruar për sektorin publik, të aplikohet edhe për punëtorët e RTK-së, pa përjashtime.
Sindikata ka paralajmëruar se pas konstituimit të Kuvendit do të ndërmarrë aksione sindikale ligjore, në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe interesit publik, duke theksuar se RTK-ja mbetet pasuri publike dhe zë i qytetarëve të Kosovës.