Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së pritet të publikojë sot “disa qindra mijëra dokumente” që lidhen me çështjen Jeffrey Epstein.
Lajmi u konfirmua nga zëvendësprokurori i përgjithshëm, Todd Blanche, i cili theksoi se ky është vetëm hapi i parë dhe se dokumente të tjera do të bëhen publike në javët në vijim.
Për “Fox & Friends”, ai sqaroi se materialet do të përfshijnë dokumente të llojeve të ndryshme, përfshirë fotografi dhe prova të tjera të lidhura me hetimet ndaj Epstein.
Megjithatë, ai la të kuptohet se një pjesë e dokumenteve mund të mbahen përkohësisht konfidenciale për shkak të nevojës për të mbrojtur viktimat, raporton Guardian.
“Së bashku me prokuroren e përgjithshme Pam Bondi dhe drejtorin e FBI-së, Kash Patel, prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e viktimave. Çdo dokument po shqyrtohet me kujdes për të garantuar që identiteti dhe historia e tyre të mbeten të mbrojtura”, u shpreh Blanche.