I akuzuari L.B., pas pranimit të fajësisë lidhur me veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, sipas së cilës ka poseduar substancë narkotike me peshë të përgjithshme 1.83 gram, është dënuar me 10 muaj burgim me kusht, nëse brenda afatit prej dy vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, si dhe me 800 euro gjobë.
Shpallja e aktgjykimit u bë të premten nga gjykatësi i rastit, Fisnik Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
L.B., në shqyrtimin fillestar, e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i ngarkohej.
“Unë kam qenë konsumues dhe e kam pirë, sepse kam pasur një rast në familje dhe më është dukur se po ma largon mërzinë. E pranoj fajësinë që e kam konsumuar për vete dhe e kam treguar aty për aty se e kam pasur për përdorim personal. Më ka vdekur një djalë i mixhës, kemi qenë moshatarë dhe kam menduar se do të ma largonte mërzinë. E ndiej veten plotësisht fajtor, sepse ajo të çon në humnerë”, ka thënë i akuzuari L.B. në seancën e shqyrtimit fillestar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 14 qershor 2022, L.B. akuzohet se më 14 janar 2022, në Prishtinë, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të tij dhe të veturës i është gjetur në posedim, në veturë, substancë e dyshuar narkotike. Sipas Raportit të Ekspertimit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, mostra e marrë ka rezultuar të jetë substancë narkotike e llojit kanabis (marihuanë), që përmban Tetrahidrokanabinol (THC), me peshë të përgjithshme 1.83 gram, e cila, me vërtetim mbi marrjen e përkohshme të gjësendeve, është sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Lidhur me këto veprime, L.B. ngarkohet me veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi