Abdixhiku në Fushë Kosovë: Kosova ka humbur pesë vite, tani i duhet shpresa reale

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në Fushë Kosovë. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kjo parti është forcë politike që e ka ndërtuar shtetin në kohët më të vështira, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, Abdixhiku tha se LDK e sheh qytetarin në qendër të politikës:

“LDK nuk është parti e rastit. Është forcë politike që e ka ndërtuar shtetin në kohët më të vështira. Është forcë që ka ditur të udhëheqë me maturi, të bashkojë në kohë përçarjeje dhe të ruajë orientimin euro-atlantik të Kosovës kur kjo ishte jetike për mbijetesën tonë.
LDK nuk premton mrekulli. Premton normalitet. Premton shtet. Premton rend, ligj dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ne jemi forca që e sheh qytetarin në qendër të politikës. Që e sheh familjen si bazë të shoqërisë. Që e sheh fëmijën si investim, jo si statistikë. Që e sheh të riun si potencial, jo si problem. Dhe që e sheh shtetin si shërbim, jo si plaçkë. Ne e shohim dhe tjetrin, që nuk mendon si ne, jo si tradhëtar e si të lig, por si një njeri tonin, fqinj tonin, familjar tonin, qytetar të Republikës së Kosovës. Sepse nuk ka Kosovë të partive. Nuk ka Kosovë të individëve. Ka një Kosovë të të gjithëve. Atë që e quajmë atdhe, shtet e Republikë!”, theksoi ai.

Gjithashtu, ai pati kritika edhe për qeverisjen e fundit, duke thënë se qeveria ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën.

“Sonte nuk jemi mbledhur vetëm për një tubim zgjedhor. Sonte jemi mbledhur për një vendim. Një vendim që ka peshë për jetën tuaj, për familjet tuaja dhe për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Jemi mbledhur në një moment kur Kosova nuk ka më luksin të humbasë kohë, sepse kohë kemi humbur shumë.
Në vitin e fundit, Kosova ka hyrë në një krizë të thellë institucionale. Për herë të parë pas luftës, vendi ka mbetur pa funksionim normal të institucioneve. Parlamenti është bllokuar. Qeveria ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese është sfiduar. Vendimmarrja është personalizuar. Dialogu është zëvendësuar me ultimatum. Bashkëpunimi me përçarje. Dhe e gjithë kjo ka ardhur si rezultat i një mendësie pushteti që nuk njeh kompromis, nuk njeh dialog dhe nuk njeh shtet mbi vetvete”, tha ai.

Kreu i LDK-së theksoi se vendi ka nevojë të dalë nga zhgënjimi dhe të hyjë në fazë ndërtimi.

“Energjia u importua me qindra miliona euro; gati 1 miliardë në pesë vjet. Arsimi mbeti i fundit në Evropë për cilësi. Shëndetësia vazhdoi t’i dërgojë pacientët jashtë vendit me kosto marramendëse. Infrastruktura stagnoj pa asnjë rrugë të re. Drejtësia mbetet selektive. Dhe të rinjtë, më shumë se kurrë, po largohen nga Kosova. Kjo nuk është çështje politike. Është çështje rezultati për të gjithë. Dhe rezultati është i qartë: pesë vite të humbura për Kosovën.
Në këtë realitet, pyetja kryesore nuk është kush është fajtor më. Atë tashmë e dimë. Dikë që i merr 42% dhe nuk mund të bëjë Qeveri e nuk mund të gjejë asnjë partner.
Pyetja është: a kemi forcë të ringrihemi? A kemi guxim të gjejmë shpresën? A kemi maturi të ndryshojmë drejtim? Kosova ka nevojë për shpresë. Jo për shpresë naive, jo për slogane boshe, por për shpresë reale, të ndërtuar mbi plan, punë dhe përgjegjësi. Ka nevojë të ringrihet si shoqëri, të rigjejë besimin te vetja, te institucionet dhe te e ardhmja. Ka nevojë të dalë nga cikli i zhgënjimit dhe të hyjë në një fazë ndërtimi.
Dhe këtu qëndron Lidhja Demokratike e Kosovës shpresa e parë dhe e fundit”, theksoi Abdixhiku.

Sipas tij, LDK është e vetmja forcë që mund ta udhëheqë Kosovën dhe ai iu drejtua qytetarëve se zëri i tyre ka peshë dhe rëndësi.

“Ne jemi forcë politike që nuk ka lindur nga zemërimi, por nga vizioni. Nuk është ndërtuar mbi urrejtje, por mbi vlera. Nuk është rritur me përplasje, por me durim. Dhe pikërisht për këtë arsye, LDK sot është e vetmja forcë që mund ta udhëheqë Kosovën drejt normalitetit. LDK është parti e shtetit. Parti e ligjit. Parti e institucioneve. Parti që e di se pushteti nuk është qëllim në vetvete, por mjet për t’i shërbyer qytetarit. Ne nuk premtojmë gjithçka për të gjithë. Ne premtojmë atë që mund ta realizojmë. Dhe mbi të gjitha, premtojmë se shtetin do ta drejtojmë me përgjegjësi, me dije dhe me respekt për secilin qytetar.
Sot, Kosova ka nevojë për këtë qasje më shumë se kurrë. Ka nevojë për njerëz që dinë të dëgjojnë. Për udhëheqje që dinë të bashkojnë. Për politikë që nuk e ndan shoqërinë në kampe armiqësore, por e ndërton atë si një tërësi. Fushë Kosovë, zëri yt sot ka peshë të veçantë. Vendimi yt sot ka rëndësi kombëtare. Sepse zgjedhja që do ta bëjë Fushë Kosova nuk është vetëm për ju. Është për Kosovën. Është për drejtimin që do ta marrë vendi ynë në vitet që vijnë. Ne ju ftojmë që të bëheni pjesë e kësaj përgjegjësie historike. Të mos qëndroni anash. Të mos e shikoni politikën si diçka të largët. Sepse politika sot po vendos për jetën tuaj të përditshme, për punën tuaj, për fëmijët tuaj, për të ardhmen e këtij vendi.
Ju ftojmë që të flisni. Të bindni. Të mobilizoni. Të shpjegoni pse Kosova ka nevojë për ndryshim. Pse ka nevojë për normalitet. Pse ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, shtoi Abdixhiku.

Të ngjashme