Lumir Abdixhiku në Prishtinë: Do ta kesh një qeveri që i qet 1.5 miliard euro për kryeqytetin

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 21:14 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një tubim në Prishtinë ka premtuar për investimet e LDK-së ndaj qytetit, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku në fjalën e tij tha se Prishtina është trajtuar si kundërshtar politik.

“Kryeqyteti, pa asnjë dyshim, është trajtuar si një kundërshtar politik, e jo si një qytet – kryeqytet i Kosovës. Koha e pengesave, bllokadave dhe sabotimeve ka marrë fund. Koha e ndihmës për Prishtinën po nis, dhe që nga sot Prishtina do të ketë një qeveri që i qëndron në krah dhe një qeveri që do të ndajë 1.5 miliardë euro për Prishtinën”, tha ai.

Abdixhiku premtoi edhe mësimin tërëditor në të gjitha shkollat e Prishtinës.

“Në këto 1.5 miliardë euro projekte të mëdha kapitale për kryeqytetin, bëhuni gati. E para: mësimi gjithëditor në secilën shkollë të Prishtinës. Plot 200 milionë euro, që fëmijët e Prishtinës të mësojnë në çdo shkollë, pa asnjë dallim, gjatë gjithë ditës në shkollë”, theksoi ai.

Kreu i LDK-së u zotua edhe për unazë të jashtme të Prishtinës, që sipas tij kap vlerën e 300 milionë euro.

“Bëhuni gati për investimin e madh: 29 kilometra unazë të jashtme të kryeqytetit, në mënyrë që qyteti t’i japë fund kaosit urban. Me ndihmën e komunës dhe mbështetjen nga niveli qendror, do ta realizojmë projektin më të madh kapital në kryeqytet në 20 vitet e fundit – unazën e jashtme të Prishtinës. Investim prej 300 milionë euro për Prishtinën”, tha ai.

Të ngjashme