Seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj tre të pandehurve Lubomir Çimburoviq, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, ende pa filluar ka shkuar në pauzë 15 minutëshe, raporton Ekonomia Online.
Megjithatë seanca u mbajtë në mungesë të të akuzuarve.
Gjykatësi Leon Përlaska tha se nuk do të ketë deklarim rreth fajësisë, kurse prokurori Atdhe Dema, para leximit të aktakuzës, tha se Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe konsideron se janë plotësuar kushtet për gjykim në mungesë.
Gjatë leximit të aktakuzës, Dema tha se drejtori i Burgut të Prishtinës në kohën e Jugosllavisë, Ljubomir Çimburoviç, ka qenë në dijeni për veprimet e gardianëve dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim dhe nuk i kishte lajmëruar.
Të pranishëm në seancë ishin të dëmtuarit Agron Ramadani, Ali Xhyliqi dhe Ramadan Nishori, me avokatët Ardian Bajraktari dhe Ylber Topalli.
Ljubomir Çimburoviç akuzohet në cilësinë e drejtorit të Burgut të Qarkut në Prishtinë, ndërsa Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq si gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit.


