Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur statistika për përbërjen gjinore të komisionerëve apo anëtarëve të këshillave të vendvotimeve që do të angazhohen në zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor, raporton Ekonomia Online.
Radoniqi ka treguar se nga 10 mijë e 606 komisionerë, vetëm 3 mijë e 763 janë gra.
“Nga 10,606 anëtarë të këtyre këshillave, 64.53% e tyre apo 6,843 janë burra, ndërkaq 35.47% apo 3,763 janë gra. Përqindje të pjesëmarrjes së grave në trupat zgjedhore të njëjtë kemi pasur edhe në zgjedhjet lokale të para dy muajve. Nga 14,353 anëtarë, 63.24% apo 9,077 ishin burra, ndërkaq 36.76% apo 5,276 ishin gra”, tregoi Radoniqi.
Radoniqi i bëri këto komente gjatë tryezës “Barazia gjinore në proceset zgjedhore – Promovimi i barazisë gjinore dhe fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në proceset zgjedhore”, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, ku pjesëmarrës ishin dhe ambasadori i Francës, Olivier Guérot dhe shefi i OSBE-së, Gerard McGurk.
Gjithashtu, Radoniqi rikujtoi se KQZ ka përmbyllur certifikimin e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe sipas të dhënave, nga 1,180 kandidatë, 789 (66.86%) janë burra, ndërkaq 391 (33.13%) janë gra.
Radoniqi theksoi rolin e KQZ-së në përfaqësimin gjinor në proceset zgjedhore dhe sipas tij, KQZ është e përfshirë drejtpërdrejt në dy dimensione: në zbatimin dhe garantimin e kuotës minimale prej 30% për pjesëmarrje dhe përfaqësim gjinor, ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi dhe në përfaqësimin gjinor në trupat e administrimit të zgjedhjeve.
“Ndryshe nga listat e subjekteve politike, KQZ nuk ka obligim të drejtpërdrejtë ligjor për të garantuar kuotën minimale gjinore prej 30% në përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve. Megjithatë, në aktin nënligjor për themelimin dhe përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve, KQZ ka përcaktuar këtë standard si pjesë e politikave pozitive dhe masave afirmative, me qëllim të avancimit të përfaqësimit gjinor dhe forcimit të barazisë në administrimin zgjedhor”, tha Radoniqi.
Në këtë tryezë ka folur edhe kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Zenel Leku, i cili ka theksuar se barazia gjinore në Kosovë është e garantuar me Kushtetutë dhe me instrumente ndërkombëtare që zbatohen drejtpërdrejt në rendin juridik të vendit.
“Në Kosovë barazia gjinore është e garantuar me kushtetutë dhe me instrumente ndërkombëtare të cilat janë të zbatuara drejtpërdrejt në rendin juridik të vendit tonë. Kjo tregon se barazia gjinore nuk është thjesht një parim i shkruar, por një vlerë mbi të cilën synojmë ta ndërtojmë një shoqëri demokratike të drejtë dhe funksionale. Shikuar me kontekstin e zgjedhjeve, barazia gjinore është parakusht për demokraci funksionale sepse pjesëmarrja e grave rrit besueshmërinë në procesin zgjedhor dhe forcon legjitimitetin e institucioneve që dalin nga zgjedhjet. Përfaqësimi i barabartë dhe fuqizimi i grave nuk është vetëm çështje numrash, por është çështje e përfshirjes së perspektivave të ndryshme në vendimmarrje dhe ndërtimin e politikave që reflektojnë realitetin e gjithë qytetarëve”, tha ai.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, ka vlerësuar se pavarësisht situatës së vështirë politike, ekonomike dhe ekologjike, po vërehen ndryshime pozitive sa i përket fuqizimit të grave.
“Në këtë periudhë të zymtë politike, në këtë situatë shumë të zymtë edhe ekonomike dhe ekologjike, më lejoni që sot të jem pozitive. Pas katër dekadash aktivizmi, unë sot po shoh ndryshime në temën që po flasim”, tha ajo.
Në tryezë është kërkuar angazhim më i madh institucional për fuqizimin e grave edhe nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, i cili ka theksuar rëndësinë e rritjes së pjesëmarrjes së grave në institucionet dhe proceset vendimmarrëse.


